PE, KE dhe shumica e vendeve anëtare të BE pro hapjes së negociatave
Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli me anë të një reagimi në rrjetet sociale është shprehur se ka ardhur në Shqipëri për të shprehur solidaritetin me të prekurit nga tërmeti.
Në videon e shpërndarë në Twitter, Sassoli thekson se ai vetë dhe vendet anëtare do të punojnë shumë që negociatat të hapen sa më parë.
Sassoli ka dhënë edhe një mesazh për të rinjtë shqiptarë duke thënë se nuk duhet ta humbin shpresën.
“Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian dhe shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE janë në favor për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne nuk do të heqim dorë. Do të vazhdojmë të shtyjmë për një votë pozitive”, është shprehur Sassoli.
“Dua t’ju them veçanërisht të rinjve shqiptarë mos e humbni shpresën. Ne duam që ju të bëheni pjesë e familjes evropiane. Së bashku ne mund ta bëjmë që të ndodhi kjo gjë. Duhet të kemi besim dhe të vazhdojmë së bashku në rrugën që keni nisur”, ka thënë Presidenti i Parlamentit Evropian. /ATSh























