Shqipëri, 985 milionë euro fatura e dëmeve nga tërmeti
Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i fortë me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter, që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit llogariten përafërsisht 984 milion 74 mijë e 906 euro.
Drejtuesi Qendror i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Bledi Çuçi deklaroi sot rreth 60 ekspertë të huaj dhe vendas duke përfshirë edhe asistencën e Bashkimit Europian, Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore punuan për hartimin e raportit të vlerësimit të dëmeve nga tërmeti.
Çuçi bëri të ditur po ashtu se për vlerësimin e dëmeve është ndjekur metodologjia PDNA (Post disaster needs assessment), që përdoret nga të gjitha vendet e botës në situata të tilla.
“Ky dokument do të shërbejë si udhërrëfyes për programin e rindërtimit”, deklaroi ministri Çuçi
Tërmeti i 26 nëntorit 2019, një nga ditët më të rënda për popullin shqiptar shkaktoi 51 viktima, plagosi rreth 1 mijë të tjerë dhe zhvendosi nga banesat më shumë se 17 mijë njerëz në total. Prej kësaj katastrofe u prekën 200 291 persona nga 11 bashki të vendit.
“Qeveria shqiptare ndërmori masa të menjëhershme për operacionin e kërkim-shpëtimit e akomodimin e familjeve të prekura, ndërsa kërkoi menjëherë kontributin e miqve, partnerëve e institucioneve ndërkombëtare për përballimin e situatës e vlerësimin e dëmeve”, deklaroi Çuçi.
Po ashtu, Çuçi informoi se për hartimin e këtij raporti janë marrë për bazë akt-ekspertiza nga inspektimet në mbi 50 mijë ndërtesa, ose 80% të totalit të ndërtesave të dëmtuara si dhe inspektimet në 100 % ndërtesave me rrezikshmëri të lartë. Paralelisht, tha ai, janë zhvilluar edhe 4 anketa për të evidentuar pasojat socio-ekonomike
“Të tre institucionet BE, BB dhe OKB na asistuan në mënyrë profesionale për hartimin e raporti PDNA, pa të cilin nuk mund të shkonim në konferencën e donatorëve në 17 shkurt, në Bruksel
Deri tani, Çuçi bëri të ditur se qeveria ka miratuar një fond prej 20 miliardë lekësh për këtë program dhe 18 zona ndërtimore.























