Kumbulla “fluturon” prej gëzimit, e ndjek Chelsea
BKT
Sport

Kumbulla “fluturon” prej gëzimit, e ndjek Chelsea

“Krenari e madhe të ndalosh një ekip kaq të fortë dhe një sulm kaq të frikshëm”, shkruan në rrjetet sociale Marash Kumbulla, dukshëm i gëzuar që Hellas Verona ia doli të merrte një pikë në transfertë kundër Lazio, që ka një sulmuesi si Ciro Immobile, i cili është edhe shënuesi më i mirë në Serie A deri më tani.

Kumbulla dhe Rrahmani dhanë maksimumin që skuadra e tyre të mos pësonte dhe ia dolën me sukses. Për mbrojtësin dardan nuk ka më çështje merkatoje, pasi Napoli e ka blerë dhe në verë ai nis aventurën e re, kurse për shtatlartin e kombëtares shqiptare situata është tjetër.

Prej ditësh është raportuar se Napoli e ka bërë një ofertë, madje thuhet se janë ofruar 20 milion euro. Interi gjithashtu është i interesuar për Kumbullën, i cili në fakt dëshirën më të madhe e ka të kalojë te zikaltrit. Gjithsesi deri në korrik mund të ndodhin shumë gjëra.

Gazetari i njohur italian, Nicolo Schira, në llogarinë e tij në Twitter bën me dije se në Romë ishte i pranishëm edhe një skaut i klubit të Chelsea, për ta parë nga afër mbrojtësin 19-vjeçar.

Kalimi në Premier League do të ishte një hap i madh për futbollistin shqiptar. Ankandi për të do të rihapet në verë, nëse ndonjë klub nuk i nxjerr më parë të gjithë jashtë gare, raportojnë mediat shqiptare.