11 ditë fushatë për kryetar të Podujevës
BKT
Lajme

11 ditë fushatë për kryetar të Podujevës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot që periudha e fushatës zgjedhore për kryetar të Komunës së Podujevës të zgjasë 11 ditë, ku do të fillojë më 3 mars dhe do të zgjasë deri më 13 mars.

Për zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës, KQZ ka miratuar buxhetin prej 491517 euro, ku në këtë shumë është përfshirë buxheti edhe nëse shkohet në balotazh.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Data tha se aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve fillon më 8 shkurt dhe zgjatë deri më 17 shkurt 2020.

“Periudha e fushatës sipas këtij plani operacional, do të zgjasë 11 ditë, do të jetë nga 3 marsi deri me 13 mars. Ndërkaq, aplikimi për akreditim të vëzhguesve do të fillojë nga data 14 shkurt dhe do të zgjasë deri më 12 mars. Po ashtu, aplikimi i partive politike për certifikim të subjekteve politike, të cilat janë të interesuara që të garojnë fillon më 8 shkurt dhe deri më 17 shkurt”, tha ajo.

Ndonëse pati kërkesë nga anëtari i KQZ-së, Eshref Vishaj që periudha e fushatës të shkurtohet, një gjë e tillë nuk u përkrahë nga anëtarët e tjerë të KQZ-së.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe buxheti për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës, i cili do të jetë 491517 euro, në të cilën shumë është paraparë buxheti edhe nëse do të shkohet në balotazh.

Rreth planit të buxhetit, ka pasur diskutime në mes anëtarëve të KQZ-së, se a duhet të marrin përfaqësuesit e partive politike në KQZ shtesa për orarin e zgjatur të punës.

Anëtari i PDK-së, Arianit Elshani ka qenë kundër që në planin e buxhetit është paraparë të paguhen për orët shtesë përfaqësuesit politik në KQZ.

“Një pikë ku mendoj që duhet të diskutohet, është lidhur me shtesat e zyrtarëve të angazhuar me orar të zgjatur të punës. Jam dakord që shtesat të bëhen për punëtorët e palodhshëm në sekretariatin e KQZ-së, të cilët e meritojnë këtë angazhim që e bëjnë gjatë këtij procesi zgjedhor. Ndërsa, sa i përket përfaqësuesve, në këtë rast neve të partive politike, jam kundër që të shtohen këto paga lidhur me aktivitetet që ne i zhvillojmë gjatë kësaj kohe”, tha ai.
Edhe anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi deklaroi se shtesat për përfaqësuesit politik nuk janë të domosdoshme.

“Edhe unë mendoj që këto shtesa për përfaqësuesit politik, nuk janë të domosdoshme, ne marrim pagën për këtë punë. Sigurisht mund të kemi punë shtesë këto ditë, por sigurisht ka me pas edhe periudha kur kemi shumë më pak punë sesa tash që kemi, kështu që ajo kompensohet”, tha ai.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i anëtarit të PDK-së, Arianit Elshani, i cili i ka kujtuar anëtarit të LVV-së Sami Kurteshi se në Këshillin për Buxhet anëtari tjetër i LVV-së Alim Rama, kishte votuar pro shtesave për përfaqësuesit politik në KQZ.

“Desha ta potencoi faktin që edhe një përfaqësues politik nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kolegu konkretisht i z. Sami ka votuar pro këtij plani të buxheti në Këshillin për Buxhet dhe për këtë arsye ka ardhur deri në këtë pikë këtu. Kolegu yt Sami ka votuar pro, veç e potencova faktin”, tha ai.
Në arsyetimin e tij pse kishte votuar pro shtesave për përfaqësuesit politik, anëtari i LVV-së në KQZ, Alim Rama tha se në fillim e kishte kundërshtuar.

“Kjo çështje u diskutua edhe në Këshill, e kam kundërshtuar personalisht, por në fund në frymën që mos me u prish siç ka qenë më përpara, se edhe jam i ri në këtë pozitë, kështu që e kam votuar për mos me e prish këtë”, tha ai.

Kurse, anëtari i LDK-së në KQZ Sami Hamiti, i cili është edhe kryesues i Këshillit për Buxhet, tha se e kanë diskutuar edhe paraprakisht këtë pjesë dhe se është ndjekur praktika e herëve të tjera kur ka pasur zgjedhje.

“Llogaris që ka dhe duhet të ketë shtesa, tash çështja tjetër është me lujtë politikë, është çështje tjetër krejt”, tha ai.
Në planin operacional për organizimin e zgjedhjeve janë caktuar edhe disa afate kohore, ku tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të mbahet më 2 mars 2020, periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues jashtë Kosovës fillon më 16 shkurt dhe përfundon më 23 shkurt 2020, periudha e votimit përmes postës fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars 2020.

Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votues me nevoja të veçanta fillon më 26 shkurt dhe përfundon më 1 mars 2020, afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve të subjekteve politike dhe OJQ-ve fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 10 mars 2020, afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe mediave fillon më 14 shkurt dhe përfundon më 12 mars 2020, periudha për formimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve fillon më 8 shkurt dhe përfundon më 14 shkurt 2020, periudha për formimin e Këshillave të Vendvotimit fillon më 25 shkurt dhe përfundon më 6 mars 2020.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars. Kujtojmë se kjo Komunë ka shkuar në zgjedhje për shkak se kryetari i deritanishëm Agim Veliu është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës.


MË SHUME NGA Lajme