E diela e derbit të Madoninës, Inter dhe Milan “ndezin flakë” San Siro!
Interi dhe Milani luajnë aktin e dytë të derbit të Milanos për edicionin e sivjetshëm të kampionatit italian, në duelin më të fortë të javës së 23 të Serisë A dhe privilegjin për të patur shumicën dërrmuese të stadiumit Giuseppe Meazza në favor këtë herë e kanë zikaltërit, që fituan gjithashtu edhe sfidën e parë me rezultatin 2-0.
Derbi i Madoninës ka ndryshuar vërtet shumë dhe tani peshorja anon ndjeshëm nga ekipi i Interit, që për momentin numëron plot 19 pikë më tepër në tabelën e renditjes. Diferenca madje mund të ishte akoma edhe më e thellë, nëse drejtuesit e kuqezinjve nuk do të kishin reaguar në kohë, për të afruar në gjirin e skuadrës veteranin Zlatan Ibrahimovic. Interesant është fakti që në fundin e edicionit të kaluar në Serinë A dy klubet e famshëm të Milanos u ndanë nga thjesht një pikë.
69 Interi dhe 68 Milani, por nëse zikaltërit fluturuan drejt Champions-it kuqezinjtë në krahun tjetër dështuan në përmbushjen e objektivit kryesor të sezonit. Duket sikur dicka e tillë është regjistruar vite më parë dhe gjithcka është harruar, aq shpejt kanë precipituar gjërat në këtë pjesë të kryeqendërs lombarde, deri në atë pikë sa në tetë muajt e fundit në timon klubi më i lavdishëm italian në Kupat e Evropës të drejtohet nga tre trajnerë të ndryshëm si Gennaro Gattuso, Marco Giampaolo dhe që nga fillimi i tetorit skuadra i është besuar Stefano Piolit.
Për më tepër ka zëra se në fundin e këtij sezoni do të afrohet 61-vjecari shvab Ralf Rangnick, që ka bërë shumë mirë te klube si Schalke, Hoffenheim, Salzburg apo dhe Leipzig, megjithëse për hir të së vërtetës asgjë nuk është thënë në lidhje me rolin, si drejtor sportiv apo si trajner i skuadrës. Në derbin e Madoninës rrallëherë janë respektuar parashikimet, megjithatë për të dytën ndeshje resht ndërmjet tyre ekipi i Interit zbret në fushën e San Siros si favorit.
Gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të dukshme dhe entuziazmi në radhët e klubit zikaltër apo edhe te përkrahësit e shumtë të këtij ekipi është rritur ndjeshëm, pas afrimit të trajnerit Antonio Conte. Të vetmen disfatë skuadra e Interit e ka pësuar në derbin e Italisë me Juventusin, katër muaj më parë dhe me një ecuri të tillë kaq pozitive zikaltërit kanë që tani 11 pikë më shumë, krahasuar me periudhën korresponduese të vitit të kaluar. Edicionin e kaluar zikaltërit kishin 12 fitore 4 barazime dhe plot 6 humbje, ndërsa aktualisht pas 22 javëve të para Interi krenohet me 15 fitore, 6 barazime dhe vetëm një humbje.
Ekipi i drejtuar nga trajneri puljez numëron plot 44 gola të realizuar, pra me një mesatare shënimi 2 gola për ndeshje, ndërkaq Antonio Conte mund të mburret gjithashtu edhe me faktin që skuadra e tij përfaqëson mbrojtjen më të fortë të kampionatit, pasi skuadra ka pësuar vetëm 18 gola gjithsej. Rendimenti mund të ishte akoma më i lartë, duke patur parasysh gabimet që ka bërë ekipi apo qoftë edhe vetë trajneri në administrimin e sfidave me kundërshtarë si Fiorentina, Atalanta, Lecce dhe Cagliari. Juventusi me Sarrin nuk është se po shkëlqen dhe me veteranin napolitan në timon “zonja e vjetër” çalon dukshëm në aspektin e lojës, sidoqoftë pavarësisht gabimeve të shumta që kanë bërë bardhezinjtë përsëri kampionët në fuqi kryesojnë Serinë A me tre pikë më shumë.
Në tre sfidat e fundit në kampionat Interi ka shpërdoruar shumë, ndonëse zikaltërit kanë patur një kalendar të favorshëm, për më tepër skuadra ka fituar vetëm 3 nga 8 takimet e fundit në kampionat italian dhe për pasojë pas barazimit me Leccen tre javë më parë ekipi i dorëzoi kreun pikërisht Juventusit.
Në krahun tjetër kuqezinjtë e mbyllën vitin 2019 në mënyrën më të keqe të mundshme, duke marrë një shuplakë të fortë në humbjen 5-0 në Bergamo me skuadrën e Atalantës, gjithsesi pas rikthimit të Ibrës ekipi i Milanit nuk njeh më humbje. Skuadra ka përfituar gjithashtu edhe nga kalendari i mirë në fillimin e këtij viti, teksa ka barazuar me Sampdorian dhe Veronën, dhe ka fituar me kundërshtarë si Cagliari, Udinese e Brescia, pa harruar aspak as përmbysjen e madhe në Stadiumin Meazza me Torinon, në cerekfinalen e Kupës së Italisë.
Ekipi i Milanit po i afrohet me shpëjtësi zonës Europiane, megjithëse për momentin është vërtet larg Zonës Champions, që përbën edhe objektivin e ëndërruar nga drejtuesit, raporton SS.
Në mesjavë dy klubet do të kenë sfida të forta gjithashtu edhe në Kupën e Italisë, pasi ditën e mërkurë Interi do të presë Napolin, ndërsa një ditë më vonë po në San Siro Milani do të përballet me Juventusin. Ibrahimovic është riaftësuar në kohë dhe Stefano Pioli nuk ka probleme me formacionin, ndërsa në krahun tjetër nga dyshja Lukaku-Martinez, që numëron plot 27 gola në kampionat do të zbresë në fushë vetëm sulmuesi belg, sepse Lautaro është i skualifikuar, bashkë me mbrojtësin Bastoni dhe portierin rezervë Berni.
Mes shtyllave mund të pozicionohet Daniele Padelli, sepse kapiteni i skuadrës Samir Handanovic vazhdon të ketë probleme me gishtin e frakturuar në dorën e majtë. Interi ka fituar 3 sfidat e fundit në kampionat, madje në 3 nga 4 përballjet e fundit ndërmjet tyre në Serinë A zikaltërit nuk kanë pësuar as gol.
Derbi i Madoninës do të luhet në orën 20:45 dhe do të drejtohet nga 38-vjecari Fabio Maresca.























