Soreca: Tregon gatishmërinë politike për të adresuar luftën kundër krimit
BKT
Shqipëri

Soreca: Tregon gatishmërinë politike për të adresuar luftën kundër krimit

“Qasja të ndjekësh paratë, është mënyra më e mirë për të luftuar krimin e organizuar”, deklaroi sot kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca në një konferencë për shtyp.

I pyetur në lidhje me paketën anti KÇK, Soreca tha se, “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është çelësi kryesor për BE. Por edhe për Shqipërinë. Pra duhet  bërë çdo përpjekje për të rritur luftën krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është arritur progres megjithatë duhet ende shumë punë për t’u bërë. Reforma në Drejtësi, kur të respektohet plotësisht do të përfaqësojë instrumentin më të rëndësishëm, armën më të fortë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit më të lartë. Mezi presim që SPAK të bëhet tërësisht funksional në mënyrë që të mund ta marrë përsipër këtë detyrë, ta realizojë atë plotësisht.  Do të takohem me z.Kraja, kryetarin e SPAK gjatë kësaj jave”.

“Sa i përket ligjit për masat e posaçme parandalimin e krimit të organizuar, i quajtur ndryshe si ligji anti KÇK. Unë në fakt jam ambasador i BE, por kam dhe përvojën time të mëparshme që e sjell me vete dhe mendoj se qasja të ndjekësh paratë, është mënyra  më e mirë për të luftuar krimin e organizuar. Mendoj që kjo ka rezultuar të jetë rasti në shumë vende, duke përfshirë dhe vende ku kam punuar shumë vite më parë. Mendoj se ky është drejtimi i ligjit anti KÇK dhe mendoj se ky ligj tregon gatishmërinë politike për të adresuar dhe trajtuar problemin”, tha ai.

“Megjithatë ajo çfarë është e rëndësishme është mënyra sesi do të zbatohet ky ligj. Zbatimi është thelbësor, kyç. Ne shohin dy kushte thelbësore që zbatimi të jetë në përputhje me shtetin e së drejtës. Së pari, që të drejtat themelore të subjekteve të palëve të respektohen plotësisht, të subjekteve të cilët janë të dënuar apo janë në hetim për krim të organizuar. Ky është një parakusht”, tha Soreca.

“Asetet sekuestrohen por të respektohet procesi i duhur ligjor, në mënyrë që të respektohen të drejtat themelore. Ne po e monitorojmë nga afër. Ne flasim në mënyrë të vazhdueshme me autoritet shqiptare dhe do të flas dhe me SPAK”, tha Soreca.

Kushti dytë, vijoi ambasadori i BE, “ka të bëjë me drejtimin e operacionit. SPAK sipas ligjit, duhet të konfirmojë të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia dhe duhet që t’ia kalojë dosjen gjykatës për të marrë vendimin përfundimtar për konfiskim. Ne po e monitorojmë këtë proces”. 


MË SHUME NGA Shqipëri