Ruçi: Diskriminimin ta luftojmë në rrënjë
BKT
Shqipëri

Ruçi: Diskriminimin ta luftojmë në rrënjë

“Diskriminimin ta luftojmë në rrënjë, duke nxitur pjesëmarrjen ekonomike dhe arsimimin e brezit të ri”, deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në konferencën e 10-vjetorit të Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, organizuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Pasi uroi dekadën e parë të krijimit të këtij institucioni të rëndësishëm për garantimin e të drejtave të njeriut, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, vuri në dukje se Kuvendi ka mbështetur fuqizimin e zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me qëllim garantimin e barazisë e mos diskriminimin e qytetarëve.

“Por sot, në këtë moment reflektimi, unë personalisht, por edhe të gjithë bashkë, ndjehemi borxhlinj ndaj qytetarëve. Mentaliteti, praktikat e inercitë diskriminuese janë disa prej shkaqeve prej të cilave beteja midis përfshirjes  e përjashtimit social nuk është zgjidhur ende përfundimisht, jo vetëm në shoqëritë në zhvillim, por as në vendet e qytetëruara e shoqëritë e pjekura demokratikisht dhe ekonomikisht”, tha Ruçi.

“Të gjithë ne, shtetarë, legjislatorë, politikanë, qytetarë, aktivistë dhe profesionistë duhet të ndërgjegjësohemi më shumë për detyrat specifike që kemi për të ndërtuar një shoqëri ku të gjithë anëtarët e saj të kenë mundësi të njëjta për kontributin në shoqëri dhe mirëqenien individuale. Sepse ka pasur raste që në vend që të shfaqim modelin e përfaqësuesit të popullit të përmbajtur, të urtë dhe të drejtë, kemi anuar nga mos përmbajtja, gjuha e urrejtjes dhe padrejtësia, në kontekstin e të cilave prirjet dhe sjelljet diskriminuese e kanë më të lehtë të përhapen dhe të rrezikojnë fabrikën e shoqërisë demokratike”, u shpreh ai.

“Ndaj me ju preokupimin se ne shpesh e kuptojmë diskriminimin në një përmasë të ngushtë, si një proces moral, social apo etnik e fetar. Por diskriminimin duhet ta trajtojmë në rrënjët e tij. Dhe rrënjët janë pjesëmarrja ekonomike dhe arsimimi i konsoliduar i popullsisë, sidomos i brezit të ri”, tha ai.

“Pjesëmarrja ekonomike është në radhë të parë pjesëmarrja në forcën dhe në tregun e punës. Dhe nëse sot bëjmë një anatomi të këtyre treguesve, konstatojmë se mjaft grupe aktivë të shoqërisë, por sidomos gratë, vajzat dhe djemtë e rinj kanë akses të pamjaftueshëm në treg. Segmentimi dhe segregimi gjinor në tregun e punës mbetet një problem për ekonominë, shoqërinë, politikën e legjislacionin shqiptar”, u shpreh Ruçi.

“Nëse u referohemi treguesve të INSTAT-it, shkalla e punësimit për gratë e vajzat është rreth 15 përqind më e ulët se e burrave, hendeku gjinor i pagave është në kufijtë 10 përqind, ndërkohë, që Indeksin e Barazisë Gjinore e kemi 7 pikë më poshtë se mesatarja e BE, pavarësisht se në pjesëmarrjen në qeveri jemi më lart se BE.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. /ATSh


MË SHUME NGA Shqipëri