Italia, avokate e Shqipërisë për integrimin në BE
BKT
Shqipëri

Italia, avokate e Shqipërisë për integrimin në BE

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka pritur sot në takim mirëseardhjeje ambasadorit e ri të Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Kryemadhi shprehet se “Italia është bërë shtëpia e dytë për mijëra shqiptarë që kanë emigruar atje ndër vite. Dy popujt tanë ndajnë histori, vlera, tradita dhe miqësi për të cilën do punojmë së bashku me Ambasadorin Bucci që t’i forcojmë më tej. Italia është një partner strategjik i Shqipërisë, që i është gjendur pranë në ditë të vështira, e cila ka mbështetur proceset e demokratizimit dhe të konsolidimit të vendit si anëtar i NATO-s dhe është avokat për integrimin e saj në BE”.

Po ashtu Kryemadhi shton se i shpreha ambasadorit angazhimin e LSI-së për realizimin e Reformës Zgjedhore.

“I shpreha Ambasadorit Bucci angazhimin e plotë të LSI për të përfunduar sa më parë reformën zgjedhore dhe për të realizuar gjithë detyrimet e kushtet e hapjes së negociatave dhe integrimit të vendit në BE.LSI është e vendosur dhe vullnetplotë për të realizuar me sukses reformat, që sjellin forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës, rrisin efikasitetin në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, dhe zhvillojnë ekonominë për të garantuar mirëqenie dhe prosperitet për qytetarët”, tha ajo.

“I shpreha Ambasadorit Bucci gatishmërinë e LSI për të çuar më tej marrëdhëniet shumëplanëshe të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë”, u shpreh Kryemadhi.


MË SHUME NGA Shqipëri