“Futbolli i Kosovës”, monografia që dokumenton 1 shekull të futbollit tonë
BKT
Sport

“Futbolli i Kosovës”, monografia që dokumenton 1 shekull të futbollit tonë

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, sot është promovuar monografia “Futbolli i Kosovës”, me autor doajenin e gazetarisë kosovare Azem Brovina.

Të pranishëm në këtë promovim ishin shumë fytyra të njohura të sportit të futbollit në Kosovës, duke filluar nga trajnerë, futbollistë të dikurshëm, futbollist të tanishëm, e shumë gazetarë sportiv.

Autori i kësaj monografie, Azem Brovina në këtë ceremoni dha më shumë detaje rreth përpunimit të kësaj monografie.

Brovina u shpreh se ka punuar rreth 8 muaj për të përpiluar në tërësi këtë monografi, dhe iu kanë dashur rreth 800 orë për të sistemuar materialin.

Brovina: Kam punuar 8 muaj për këtë monografi.

“Them shkurtimisht kam punuar nga e hëna në të premten, tetë muaj ditë. Kam shfletuar rreth 13 mijë faqe apo më tepër, shfletuar por edhe seleksionuar materialin për ta futur pastaj në këtë monografi. Janë rreth 800 orë punë këtu në bibliotekë, plus materialin që e kam pasur si aktiv personal. Të gjitha këto kanë bërë që të kemi material të bollshëm dhe është dashur ti sistemojë disi sepse ka material edhe për një libër, them kështu tjetër. Por jam munduar që ato momentet kryesore ti përfshijë në këtë monografi”, deklaroi Brovina.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, tha se monografia e Azem Brovinës nuk do të ishte e plotë pa pranimin e Kosovës në organizatat botërore të futbollit siç janë FIFA dhe UEFA,, ndërsa sa i përket autorit të kësaj monografie, ai u shpreh se Brovina asnjëherë nuk është ndikuar nga asnjë qeveri apo asnjë grup tjetër.

Salihu: Brovina nuk është ndikuar nga asnjë qeveri

“Kam nderin dhe privilegjin që ti them dy tri ri fjalë, më shumë jo në aspektin profesional se i thanë profesionistët, por një gjë që mu m’ka mbet brengë, për shpirtin e pathyeshëm të një sportisti, gazetarit sportiv, komentatorit sepse kemi qenë së bashku. I kam këtu edhe shokët, kolegët e mi që kemi luajtur bashkë në periudhat më të fundmit sidomos në ish-Jugosllavinë, ku zoti Brovina ka qenë pjesë e pandashme e jonë, me komentimin e tij të suksesshëm.. Jemi të kënaqur që i ka përfshirë pothuajse të gjitha periudhat në të cilat ka kaluar futbollit kosovar por më vjen keq që sot në mesin tonë nuk është legjenda e futbollit, Fadil Vokrri”, deklaroi Salihu.

Ndërsa drejtori i Departamentit të sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, Ibër Alaj u shpreh se ministra e ka mbështetur këtë monografi në maksimum, duke ditur rendësin e këtij botimi.

Alaj: E kemi mbështetur maksimalisht këtë monografi

“Sigurisht që ne si ministri kemi obligime. Puna një shekull futboll do të thotë shumë. Nuk është dashur një vlerësim i veçantë ti bëhet monografisë, apo qëllimit që të mbështet, por është dashur të mbështet diçka që ka vlerë. Është një sakrificë e gjeneratave që kanë bërë që futbollit të ekzistoj në Kosovë, por edhe të zhvillohet në mënyrën e vet”, tha Alaj

Ndryshe, monografia “Futbolli i Kosovës” për shumë arsye është i veçantë, pasi është i shkruar mjeshtërisht, i argumentuar me gjuhën e fakteve dhe të statistikave, dhe si i tillë i tejkalon kornizat e një historie sporti.

Monografia e Brovinës, në fakt është historia gjithëpërfshirëse e futbollit tonë, e cila, si e tillë, ka qenë hallkë e munguar e kronikës njëshekullore të Kosovës.