Të punësuarit e ri në “Trepçë” janë rreth 80 për qind nga Shala e Bajgores
BKT
Lajme

Të punësuarit e ri në “Trepçë” janë rreth 80 për qind nga Shala e Bajgores

Mejreme Tahirukaj

Në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në Ndërmarrjen “Trepça”, dhjetëra protestues, në ditën e katërt të protestës së tyre, kanë bllokuar sot në mëngjes për 40 minuta rrugën Mitrovicë-Stantërg. Ndërkohë, 140 punëtorë të elektromakinerisë së minierës “Trepça” nuk kanë filluar punën, të pakënaqur për shkak të mosmarrjes së pagave të plota.

Protestuesit  rreth orës 6:30 të mëngjesit, fillimisht te Tuneli i Parë, kanë lënë disa automjete në rrugë, pastaj i kanë larguar ato dhe kanë vazhduar të qëndrojnë vetë në rrugë, duke paralizuar kështu lëvizjen e plotë nga Mitrovica në drejtim të Stantërgut dhe anasjelltas. Ata kanë shprehur pakënaqësi për shkak të punësimeve të reja në “Trepçë”. Menaxheri ekzekutiv i minierës “Trepça”, Basri Ibrahimi, tha se të punësuarit e ri në “Trepçë” janë rreth 80 për qind nga Shala e Bajgores. Ai tha se problemet sociale të Shalës së Bajgores dhe Mitrovicës janë evidente:

“ Kompania “Trepça” nuk ka mundësi t’i zgjidhë të gjitha këto probleme sociale. Mbi 80 për qind të punësuarve janë të regjionit të Shalës dhe Mitrovicës”, tha Ibrahimi.

Ndërkohë,  rreth 140 punëtorë të elektromakinerisë sot kanë ndërprerë punën në shenjë pakënaqësie për shkak se kanë  marrë vetëm 60 për qind të pagës. Menaxheri Ibrahimi thotë se për këtë është bërë një gabim teknik gjatë përllogaritjes. Ai, megjithatë, ka pranuar se për shkak të problemeve financiare nuk kanë arritur që pagën e janarit të japin të plotë:

“ Është e vërtetë që ne kemi probleme financiare. Nuk kemi arritur ta japim pagën e janarit në plotë,jemi munduar që atë ta kenë punëtorët e prodhimit. Janë muajt rekord, asnjëherë prej pas luftës në “Trepçë” nuk ka prodhim siç është sot” tha Ibrahimi.

Ndërkaq kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “TREPÇ-ës”, Gani Osmani, tha se punëtorët që kanë ndërprerë punën, kanë bërë një marrëveshje me menaxhmentin që ta fillojnë punën. Sipas tij, janë rreth 500 punëtorë që nuk i kanë marrë pagat e plota.

“ Ne kemi pasur probleme me rroga edhe në dhjetor dhe në janar. Marrëveshja ka qenë që mos me u ndarë pagat por me u qitw prej shata dhe me 10. Muajin e kaluar i kemi marrë me pengesa nuk ka qenë keq por tash i kanë ndarë”, tha Osmani.

Miniera “Trepça” me flotacion dhe Stanterg ka 600 punëtorë, ndërkaq, prodhimi është shtuar aktualisht për 20 për qind  dhe se vetëm në janar janë nxjerrë  rreth 13 mijë tonë xehe.


MË SHUME NGA Lajme