Thaçi: Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump
Rrezarta Zekaj
Në Munih të Gjermanisë është nënshkruar marrëveshja për rikthimin e trafikut hekurudhor midis Prishtinës dhe Beogradit në prani të emisarit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richardh Grenell, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se marrëveshja për hekurudha është një hap tjetër drejt marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Pak para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy letra e shprehjes së interesit, përmes së cilave mbështetet vullneti për hapjen e rrugëve ekzistuese për autostrada dhe për hekurudha, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në. Nënshkrimin e marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat, presidenti i Thaçi e quajti moment historik dhe hap drejt marrëveshjes përfundimtare me Serbinë:
“Marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës dhe sipas tij, kjo është ajo çka ju duhet njerëzve në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi.
Ai gjithashtu ka falënderuar Administratën amerikane për përpjekjet e tyre në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve të Ballkanit Perëndimor. Presidenti Thaçi ka shprehur besimin se do të ketë angazhim drejt marrëveshjes përfundimtare:
“Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe Administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tonë” tha Thaçi.
Edhe i Dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, është shprehur i lumtur që Kosova dhe Serbia kanë arritur të nënshkruajnë edhe një marrëveshje tjetër – marrëveshjen për linjën hekurudhore dhe autostradat. pas nënshkrimit ai tha se presidentët e dy vendeve janë pajtuar se ky është fokusi – si të ecim përpara me zhvillimin ekonomik.
Përkrahje për marrëveshje ka dhënë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. ai ka shkruar në llogarinë e tij në Tuiter se tani është e nevojshme marrëveshja e madhe, njohja e ndërsjellë mes dy shteteve.
Edhe Ambasada e SHBA-së në Gjermani e ka përshëndetur këtë marrëveshje duke e quajtur historike. Marrëveshja për lidhje ajrore, hekurudha, dhe autostrada do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar Ambasada në llogarinë e tyre zyrtare në Twitter.























