Rama: Presim mbështetje me peshë në procesin e Rindërtimit

Rama: Presim mbështetje me peshë në procesin e Rindërtimit

Kryeministri Edi Rama para nisjes për Tiranë pas dy ditësh intensive në Konferencën e Sigurisë foli për Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet më 17 shkurt në Bruksel, dhe për takimet e rëndësishme si vijim i procesit të kryesimit të OSBE-së.

“Për hir të së vërtetës, erdha këtu me një qëllim të madh dhe me një ide dhe detyrë. Qëllimi i madh ishte të realizoja sa më shumë kontakte dhe të bëja sa më shumë në hapat e fundit drejt stacionit të Konferencës së Donatorëve që është pasnesër në Bruksel dhe më vjen mirë që koha u shfrytëzua me dobi në këtë aspekt. Tani të shikojmë rezultatet. Ka ende orë për të arritur një rezultat pozitiv. Ishte dhe detyra e kryetarit  të radhës së kryetarit të OSBE-së 2020 që përfshinte disa takime të rëndësishme në vijim të procesit të kryesimit të OSBE-së”, tha ai.

Në lidhje me sinjalet pozitive nga presidenti Macron për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, Rama tha se “nuk e ndoqa presidentin sepse isha në takimet e tjera por nga sa munda të lexoj është një sinjal pozitiv. Megjithatë unë dëshiroj t’u them të gjithëve se nuk kemi pse e ushqejmë veten me iluzione dhe dëshira të skajshme edhe pse legjitime sepse kjo nuk varet nga ne. Le të presim me durim ndërkohë le të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulje dhe durim për të realizuar gjerat ashtu siç do t’i realizonim nëse do të ishin hapur negociatat”.

Ne lidhje me pritshmërinë nga Konferenca e Donatorëve, Rama tha nuk ka një pritshmëri të caktuar. “Do të thotë se nuk bëhet fjalë për të arritur për të përmbushur të gjitha nevojat por sidoqoftë mbetemi në një nivel që sado modest të mund të ketë një peshë në proces”.

”Nëse realizojmë ketë ne jemi të kënaqur, nëse shkojmë përtej kësaj ne do të jemi të lumtur”, tha Rama.