Conte: I dhuruam dy gola Lazios

Conte: I dhuruam dy gola Lazios

Interi u mposht nga Lazio një ditë më parë. Zikaltrit shënuan të parët, por skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi përmbysi gjithçka dhe mori vendin e dytë në Serie A.

Trajneri Antonio Conte nuk ndihet mirë me rezultatin, si dhe me golat e pësuar. “Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë, por rezultati nuk është ai që më pëlqen. Gjithashtu edhe mënyra se si i pësuam të dy golat.

Ia dhuruam Lacios të dy. Ishim shumë të butë në të dy golat. Kemi pasur edhe situata të tjera këtë sezon, ku kemi kaluar në avantazh dhe në fund i kemi flakur tre pikët. Për shembull kundër Barcelona dhe Borussia Dortmund, ndeshje që i kishim në dorë dhe në fund i humbëm”, u shpreh trajneri i Interit për Sky Sport Italia.

Conte vijoi me analizën e tij për ndeshjen: “Mendoj se ishte një ndeshje shumë e ekuilibruar, ku asnjëri ekipi nuk e dominoi tjetrin. Ishin në fushë dy ekipe me identitet taktik të qartë, u përballën dhe u përpoqën të fitojnë duke bërë lojën e tyre. U vendos nga dy gola, që në syrin tim ishin të evitueshëm. Duhet të rritemi në aspektin e karakterit, sepse ne po i fitonim duelet një për një.

Në pjesën e dytë ishim më të ndrojtur në daljet përpara. Nuk e di pse u dukëm si të frikësuar, por pasi ishim në disavantazh nisëm ta luanim topin dhe të sulmonim. Ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme u përpoqëm të mbronim rezultatin, edhe pse unë mendoj se mbrojtja më e mirë është sulmi. Janë gurë që duhen vendosur njëri pas tjetrit, është një proces rritjeje, pasi shumë prej këtyre djemve po luajnë një stil futbolli me të cilin nuk janë mësuar më parë”.