Rama: Për ne mohimi i negociatave nga BE ishte tronditës

Rama: Për ne mohimi i negociatave nga BE ishte tronditës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shfaq i përulur dhe i prekur në fjalën e gjatë të mbajtur në Konferencën e Donatorëve kushtuar Shqipërisë.

Kreu i qeverisë shqiptare falënderoi në gjuhët e vendeve pjesëmarrëse, siç tha në emër të të gjithë shqiptarëve për ndihmën dhe solidaritetin e ofruar në drejtim të Shqipërisë në një moment tragjik për kombin, ndërsa nuk i kurseu lutjet që ndihma ndaj kombit tonë në këtë moment të vështirë të vazhdojë.

“Faleminderit që e pranuat ftesën e presidentes së KE për të kuptuar se sa të errëta ishin këto momente për vendin tonë. Kështu që ju lutem të na ndihmoni të rimëkëmbemi për dëmet, që shkojnë përtej mundësive tona financiare. Faleminderit Ursula, ty personalisht dhe ekipit tënd dhe faleminderit Charles Michel. Ju patët edhe tërmetin tuaj me Brexit dhe unë isha kaq i trishtuar.

Duke ardhur nga një vend që është kaq i lidhur me Evropën, mendova sa bukur do të ishte sikur flamuri shqiptar të zëvendësonte flamurin e bukur të Britanisë së Madhe, por nuk do t’jua kërkoj këtë se jeta nuk është aq e thjeshtë”, - tha Rama.

Teksa bëri një përmbledhje të dëmeve të shkaktuara në vendin tonë nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri risolli në vëmendje faktin se fatura e përllogaritur është rreth 1 mld euro, një shifër kjo e papërballueshme për një vend si Shqipëria.

Megjithëse tema e konferencës ishte tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri i Shqipërisë nuk harroi të risillte në vëmendje atë që e cilësoi si tërmetin e dytë të vitit 2019, tërmetin politik të mos hapjes së negociatave për Shqipërinë nga BE në tetor, që siç tha kryeministri, ishte si "mallkim i historisë që na godiste".

“E dimë që nuk janë kohët më të lehta për BE, por për ne mohimi nga BE ishte tronditës, ndjemë dhimbje dhe poshtërim. Ne kemi bërë gjithçka që mundëm dhe na u kërkua, dhe sërish përgjigjja ishte jo. Dy goditje të forta njëra pas tjetrës dhe ne ende qëndrojmë për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë.

Në fund të 2019, ky vit solli 2 ditë të këqija për vendin tim, le të shënojë kjo ditë kthesën dhe 2020 të jetë një vit rindërtimi dhe shprese”, - tha Rama.


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare