Von der Leyen: Komuniteti ndërkombëtar solidaritet të jashtëzakonshëm

Von der Leyen: Komuniteti ndërkombëtar solidaritet të jashtëzakonshëm

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh sot mjaft e kënaqur me solidaritetin e shprehur nga vendet pjesëmarrëse në Konferencën e Donatorëve për të mbështetur Shqipërinë në rimëkëmbjen e saj pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Komuniteti ndërkombëtar e ka mbështetur fuqishëm përpjekjen për rindërtimin në Shqipëri. Falënderoj donatorët për kontributin e tyre. 51 veta humbën jetën, më shumë se 200 mijë veta janë prekur nga tërmeti dhe 17 mijë njerëz janë zhvendosur për shkak të humbjes së shtëpive të tyre. Kjo mund t’i kishte ndodhur gjithkujt  prej nesh dhe ne ju detyrohemi mbijetuesve që kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre për t’i ndihmuar që të rindërtojnë të ardhmen”, tha Von der Leyen.

“Jam shumë krenare që BE mori iniciativën për të organizuar këtë Konferencë Donatorësh në Bruksel. Sot komuniteti ndërkombëtar premtoi ta ndihmojë Shqipërinë në rimëkëmbjen e saj. Shqipëria nuk është vetëm. Ne do ta shoqërojmë Shqipërinë gjatë gjithë fazës së rimëkëmbjes. Shqipëria është partner i rëndësishëm dhe mik i BE. BE qëndron në favor të solidaritetit dhe përgjegjshmërisë”, u shpreh Von der Leyen.

“Jam shumë e kënaqur  që njoftoj se BE, KE, Banka Europiane e Investimeve shtetet anëtare kanë angazhuar 400 milionë euro. Por shifra bëhet më e mirë akoma. Sot i tejkaluam të gjitha pritshmëritë. Komuniteti ndërkombëtar ka angazhuar 1 miliard e 150 milionë euro për Shqipërinë. Që është një shifër fenomenale që do të përmbushë dhe plotësojë  nevojat”, theksoi Von der Leyen.

“Jam shumë e emocionuar nga solidariteti i treguar nga Komuniteti ndërkombëtar për Shqipërinë Do të kemi një marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë. Folëm ndërkohë për këtë gjë për t’u siguruar që parimet bazë të rindërtimit të respektohen. Sigurisht që ne jemi të interesuar  për progresin e vendit dhe unë kam ofruar dhe do të ofroj të gjithë mbështetjen time. Është në interesin tonë të përbashkët që Shqipërinë ta mbajmë sa më pranë BE”, tha Von der Leyen.

Ne, vijoi, Von der Leyen, “kemi punuar shumë për të shtruar rrugën që këtë vit të arrijmë suksesin që dëshirojmë. Ju e dini se ne sapo kemi rishikuar metodologjinë, e cila ka krijuar besim në të gjitha palët për këtë përpjekje të përbashkët, e cila përshpejton procesin dhe ofron perspektiva më të besueshme për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut që ne të mund të ecim përpara drejt qëllimit tonë të përbashkët për hapjen e negociatave. Po punojmë fort. Unë kam shumë besim, por ka rëndësi gjithashtu që ne do të botojmë një raport të ri për vendin në fillim të marsit me qëllim që të krijojmë besim në të gjitha palët. Kemi numrat, kemi provat që progresi është bërë. Që ka konsekuencë në përpjekjet drejt BE”.

“Ne kemi rënë dakord që të kemi një marrëveshje ku do të përcaktojmë parimet kyçe të transparencës dhe llogaridhënies. Siç e tha kryeministri, kjo është në interesin tonë të përbashkët sepse të dy duam që kjo shenjë e jashtëzakonshme solidariteti me popullin shqiptar të investohet në mënyrën e duhur, transparente, llogaridhënëse”, nënvizoi Von der Leyen.

“Jemi të gatshëm të dërgojmë ekspertët tanë për ta zbatuar në mënyrën e duhur dhe për këtë, këtë marrëveshje do ta nënshkruajmë së bashku dhe do të jetë e dobishme dhe do të na ndihmojë të kalojmë këtë proces që është në interesin e përbashkët”, tha Von der Leyen.

“Ne kemi punuar shumë për këtë Konferencë ndërkombëtare financimi pas tërmetit të tmerrshëm. Me të njëjtin përkushtim dhe intensitet kemi punuar për të shtruar rrugën që Shqipëria të shkojë drejt arritjes së qëllimit të hapjes së negociatave”, tha Von der Leyen.

“Ka disa hapa ku ne mund të ndihmojmë. Në fakt kemi rishikuar metodologjinë që është pranuar nga të gjitha anët. Që është një gjë shumë e mirë. është më e modernizuar, më e besueshme dhe ishte e nevojshme për t’u bërë për të treguar se ku po shkojmë së bashku. Po punojmë edhe me raportet për vendet. Këto janë përpjekje për t’i bindur të gjithë që për mendimin tim ka ardhur koha që ne të fillojë të hapim bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne u kemi kërkuar shumë gjëra. Ata i kanë mbajtur premtimet e tyre. I bënë të tëra gjërat që ne u kemi kërkuar të bëjnë. Tani na takon ne të jemi një partner i besueshëm”, theksoi Von der Leyen./ATSH/


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare