Marmarinos: Ky është vetëm fillimi
Përzgjedhësi i ri i Kosovës në basketboll, greku Christos Marmarinos, ia ka lënë lojtarëve meritat për fitoren ndaj Islandës. Kosova të enjten mbrëma në Prishtinë e mposhti Islandën me rezultatin 80:78, në hapje të paraeliminatoreve për Botërorin 2023.
“Basketbollistët e arritën fitoren, jo unë. U angazhuan dhe nuk u dorëzuan për asnjë moment. Jam shumë krenar për lojtarët që patën një paraqitje të mirë. Ky është mesazh se duam të vazhdojmë me fitore. Kishim edhe telashe, Jones dhe Bunjaku u lënduan”, ka thënë Marmarinos në konferencë për shtyp pas ndeshjes.
"Ne do të qëndrojmë së bashku dhe do të luftojmë së bashku. Dua të përgëzoj edhe Islandën për paraqitjen e mirë. Ky është vetëm fillimi, pasi na pret ndeshja me Luksemburgun dhe shpresoj që deri atëherë t’i përmirësojmë gabimet që patëm”, ka shtuar përzgjedhësi Marmarinos.























