Ballkani Perëndimor po shkruan një kapitull të ri mbi të ardhmen

Ballkani Perëndimor po shkruan një kapitull të ri mbi të ardhmen

“Ballkani Perëndimor ka nisur të shkruajë një kapitull të ri duke ulur rreth një tavoline të përbashkët vendet për të folur mbi mundësitë tona të së ardhmes”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, në një aktivitet të organizuar tek Shtëpia e Europës, nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumi Ekonomik Botëror (WEF) për përshpejtimin e konkurrencës dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri theksoi se “këto diskutime dhe ky bashkëpunim mes vendeve të rajonit, janë të nevojshme për t’i siguruar fëmijëve tanë një Ballkan më të mirë dhe më të ndërlidhur me Bashkimin Evropian.

Rama falënderoi Kancelaren Gjermane, Angela Merkel për mbështetjen që i ka dhënë nismës për bërjen bashkë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ndërkohë që nga Berlini në 2014, nën kujdesin, dhe e falënderoj për vizionin Kancelaren Merkel, kemi filluar të shkruajmë një kapitull të ri duke sjellë bashkë për herë të parë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i ulur rreth një tavoline të përbashkët, duke folur për mundësinë tonë të së ardhmes. Kjo është diçka që është më lehtë të thuhet se sa të bëhet, por po shohim një punë që është në proces e sipër, që zhvillohet paralelisht me sfidat dhe pengesat që krijon e shkuara, e cila herë pas herë na del përpara në formën e politikanëve apo analistëve të së tashmes”, tha Rama.

Pavarësisht nga këto, Kryeministri Rama shprehu bindjen se “ne do të ecim përpara sepse kjo është ajo që u detyrohemi fëmijëve tanë, që ta bëjmë rajonin tonë më të mirë se sa është dhe më të lidhur me Bashkimin Evropian dhe perëndimin”.

“Ia kemi për borxh fëmijëve tanë që të kemi një vend të ri në Ballkanin Perëndimor. Në fund cilësia e jetës nuk bazohet në sa shumë biem dakord me njëri-tjetrin, por se si përmes mosmarrëveshjeve fillojmë të kuptojmë më shumë njëri-tjetrin dhe do të vazhdojmë duke mos pasur asnjë pengesë për të qenë së bashku”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “është momenti për të zgjuar potencialin e ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke veçuar nismën e mirë në Shqipëri në mbështetje të iniciativave të reja për startup-e në një botë tradicionale.

“Jemi në procesin e këtyre marrëdhënieve dhe dixhitalizimit të paprecedentë të shërbimeve tona dhe në vitin 2020 do sigurohemi që të gjitha shërbimet, 95 % e tyre, do të jenë në dispozicion të njerëzve, pa pasur kontakt fizik”, shtoi Rama, lidhur me revolucionin dixhital në zyrat e shtetit. /ATSh