Reagon Konjufca: Çitaku na njoftoi me email për njohjen e Xhamajkës
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka reaguar pasi që nga Xhamajka mohuan se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu si kishte lajmëruar mbrëmë ambasadorja Vlora Çitaku.
Konjufca ka shkruar në 'Facebook' se lajmin e kanë marrë përmes postës elektronike nga ambasadorja Citaku, derisa, tha se janë në kontakt të vazhdueshëm më ambasadën në SHBA për të sqaruar atë se çka ka ndodhur.
Postimi i plotë:
Mbrëmë, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka.
Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë.
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar.
Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.























