Vrasja e reperit Pop Smoke, Policia po e heton si atentat

Vrasja e reperit Pop Smoke, Policia po e heton si atentat

Vrasja e reperit Pop Smoke po hetohet si një atentat i lidhur me bandat kriminale dhe jo një vrasje pas një përpjekjeje të dështuar për grabitje, tha policia.

20-vjeçari, i cili e identifikonte veten si pjesëtarë të bandës famëkeqe “Crips” në një këngë të botuar këtë muaj, mbeti i vdekur një ditë më parë në shtëpinë e tij në “Hollywood Hills” në Los Anxhelos.

Incidenti fillimisht u mendua se kishte të bënte me një përpjekje për të grabitur shtëpinë e tij, të shkuar keq, sepse ndodhi pak orë pasi Pop Smoke kishte postuar në rrjetet sociale disa foto dhe video ku tregonte sende të çmuara. Madje në një video ai tregonte edhe adresën e saktë të banesës së tij.

Por sipas disa mediave amerikane, autoritetet tani mendojnë se bëhet fjalë për një vrasje të mirëmenduar. Kamerat e sigurisë tregojnë se banesës, me vlerë 2,5 milionë dollarë, i afrohen katër persona, ndërsa njëri prej tyre kalon në pjesën e pasme, ku nuk kishte kamera, dhe futet në banesë prej nga më pas dëgjohen edhe të shtënat. Pak sekonda më pas, i dyshuari, që mendohet se është edhe autori i vrasjes, shihet teksa del nga dera e përparme, por nuk ka asgjë në duar.

Gjatë një dalje për mediat të mërkurën, kapiteni i Policisë së Los Anxhelosit, Steve Lurie, tha se mendohej se në ngjarje ishin të përfshirë 2 deri në 6 vetë.


MË SHUME NGA Magazina