Optimizëm para ndeshjes së Kosovës me Maqedoninë e Veriut

Optimizëm para ndeshjes së Kosovës me Maqedoninë e Veriut

Kosova do të ndeshet me Maqedoninë në kuadër të gjysmëfinales së play-off-it të Ligës së Kombeve.

Kjo është një tjetër mundësi e Kosovës që të kualifikohet në Kampionatin Evropian, pas dështimit që këtë ta arrijë nga ndeshjet kualifikuese, ku “Dardanët” u renditën në pozitën e tretë pas Republikës Çeke dhe Anglisë.

Qytetarët e Kosovës, ani pse disa nuk ishin në dijeni të zhvillimit të kësaj ndeshjeje, ata u shprehen optimistë dhe shpresojnë që djelmoshat tanë të marrin fitore e më pas ta mposhtin edhe fituesin e ndeshje Gjeorgji-Bjellorusi.

Leutrim Rexhepi, i cili jeton në Zvicër nuk ishte në dijeni për zhvillimin e kësaj ndeshje, por u shpreh se ishte shumë i interesuar për futbollin, e sidomos për Kosovën.

“Në qoftë se kanë termin luajnë, në qoftë se nuk kanë, nuk luajnë...Ne jemi të Gjakovës jetoj në Zvicër... Shumë jam merakli në sport, bile për futboll i flaktë jam...Por atje nuk po na rrokë këto kanalet e juaja...Fitojmë ne more, a jemi më të fortë”, tha Rexhepi.

Aziz Salihu, legjenda kosovare e boksit, u shpreh se Kosova do ta ketë shumë vështirë të fitojë këtë ndeshje, duke parë edhe cilësinë e kombëtares së Maqedonisë së Veriut, mirëpo optimizmi nuk mungon dhe shpreson që “dardanët” të kthehen me fitore nga Shkupi.

“Unë kam qejf që të fitojë normal Kosova, sepse vërtetë janë shumë të mirë. Me të vërtetë janë, nuk po di ka dolën këta. Mendoj që do të fitojnë, vetëm se kanë me pas shumë vështirë. Maqedonia është e fortë, publiku nuk është në rregull, kanë probleme por mendoj që do të shkojnë shumë shqiptarë dhe do të ndihmojnë, por mendoj që ka me qenë një atmosferë e madhe dhe do të fitojë Kosova sepse me të vërtetë janë të mirë. Unë nuk e di këta emra që po i përmendë, unë po gëzona është për t’u çuditut sepse ne nuk kemi këtu futbollistë të luajnë për Kosovën, por ata janë që do të na sjellin fitoren dhe kemi mu kënaq”, tha Salihu.

I riu, Lorik Ibrahimi gjithashtu kishte të njëjtin mendim, duke deklaruar se futbollistët e Kosovës janë duke kaluar në një periudhë me lëndime, por shpreson që deri në ditën e ndeshjes të gjithë të jenë të gatshëm

“Kualifikim... besoj që ka me qenë vështirë sepse Maqedonia ka shumë lojtarë të mirë që po luajnë, janë në formë më mirë se Kosova dhe nuk kanë telashe me lëndime, si ka Kosova aktualisht por deri në ditën e ndeshjes shpresoj që gjithçka të jetë në rregull edhe të kthehen në formën optimale”, u shpreh Ibrahimi.

Qytetari tjetër, Arifi Arifi u shpreh se Kosova do të arrijë një fitore të mundimshme ndaj Maqedonisë. Sipas tij ndeshja do të përfundojë me fitore minimale të djelmoshave tanë me rezultat 1:0.

“Shiko, çdo ndeshje që luhet jashtë Kosovës, për brenda jemi gati gjithherë ata që mendojmë që duhet me fitu, por edhe këtu besoj fitorja është e jona sepse kemi ekipin jashtëzakonisht të fortë, të mirë, të ri me perspektiv, të cilët nuk luajnë kumedit se për çka, por për shtet... Besoj diku minimumi 1 me 0 në favor të Kosovës”, u shpreh Arifi.

Ndërsa Reshat Blakçori u shpreh se pret që “dardanët” të jenë në numër sa më të madh për ta përkrahur Kosovën n ë Shkup, për fund ai kishte edhe një përshëndetje për futbollistët e Kosovës.

“Pres prej Dardanëve që të jenë të mobilizuar ashtu siç dinë me dhënë përkrahje dhe pres prej kombëtares së Kosovës në Shkup kundër Maqedonisë që të korrin fitore së paku 3:1, rezultati për Kosovën. Unë me zemër i përshëndes dhe i uroj fitore dhe shpresoj që të jem edhe unë atje pjesë si shikues dhe tifozë që e dua me zemër, jo që e dua sportin me zemër por i dua të rinjtë dhe sportistët e Kosovës... Vazhdojmë drejt, aty ku vjen era dashuri quhet sportistë e Kosovës kështu që shkojmë me një respekt për sportistët e Kosovës”, deklaroi Blakçori.

Kujtojmë që ndeshja mes Kosovës dhe Maqedonisë zhvillohet më 26 mars në stadiumin “Tose Proeski” në qytetin e Shkupit.