Polonia, qëndrime të qarta pro hapjes së negociatave me Shqipërinë
BKT
Shqipëri

Polonia, qëndrime të qarta pro hapjes së negociatave me Shqipërinë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti në një takim ambasadorin e Republikës së Polonisë në Shqipëri, Karol Bachura.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi e falenderoi ambasadorin Bachura për mbështetjen e fuqishme të Polonisë dhe vendeve të Grupit të Vishegradit për integrimin europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

“Polonia ka qenë gjithmonë një mike, partnere dhe mbështetëse e fuqishme e rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe me qëndrimet e saj po jep mesazhe të qarta për Samitin e Zagrebit”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer politik midis të dy vendeve, Ruçi vuri në dukje se këto marrëdhënie duhet të pasohen nga rritja e bashkëpunimit ekonomik, i cili duhet tu përgjigjet mundësive reale të të dy vendeve.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi reformat e thella që po kryen aktualisht Shqipëria, sidomos reformën e suksesshme në drejtësi, e cila mund të konsiderohet burimi i të gjithë reformave.

Ambasadori Bachura i dorëzoi kryetarit Ruçi ftesën për të marrë pjesë në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Europës Lindore e Qendrore, i cili do të zhvillohet në datat 4-5 qershor në Varshavë si edhe përgjigjen pozitive të Kryetares së Sejmit, Elzbieta Witek, ndaj ftesës së Kryetarit Ruçi për të vizituar Shqipërinë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2020.

“Polonia e ka bërë të qartë qëndrimin e saj pro hapjes së menjëhershme të negociatave me Shqipërinë, madje menjëherë pas miratimit me konsensus të paketës ligjore të reformës në drejtësi. Është në interesin e BE-së të pranojë sa më shpejt Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor”, -theksoi ambasadori Karol Bachura.


MË SHUME NGA Shqipëri