“Vetëm Guardiolës i marr mendim, interesante ta shihja te Hoffenheim”

“Vetëm Guardiolës i marr mendim, interesante ta shihja te Hoffenheim”

Julian Nagelsmann është një nga trajnerët më të veçantë në botë. Gjermani e nisi këtë profesion shumë herët dhe në moshën 28-vjeçare u ul në stolin e Hoffenheim në Bundesligë.

Ai arriti të dërgonte për herë të parë në histori klubin gjerman Champions League. Tani po shkëlqen te Leipzig, si në kampionat edhe në Europë.

Kualifikimi në çerekfinalet e Champions League është afër dhe mjafton që djemtë e tij të mos humbasin sfidën e kthimit përballë Tottenham në shtëpi. 32-vjeçari ndalet te Pep Guardiola në një deklaratë për SportBild.

Spanjolli i City është i vetmi të cilit i merr këshilla dhe mendim, teksa tregon se do të ishte interesante ta shihte Guardiolën në pankinën e Hoffenheim dhe veten e tij në stolin e… Manchester City.

“Kam një raport të ngushtë me Guardiolën, është i vetmi trajner të cilit i marr këshilla. Nuk e pyes se çfarë duhet të bëj kundër Bayern Munchen, por i dërgoj disa video të situatave tonë të lojës dhe i tregoj zgjidhjen time. Ai më përgjigjet dhe fillojmë e diskutojmë.

Guardiola bën gjëra të ndryshme nga të tjerët, shumica fokusohen te zgjidhja tradicionale e situatave të ndryshme. Trajneri më i mirë në botë? Është e vështirë të zgjedhësh vetëm një, njësoj si të zgjedhësh lojtarin më të mirë.

Do të ishte shumë interesante të shihja nëse Pep do të kishte pasur te Hoffenheim të njëjtin sukses që pata unë. E njëjta gjë vlen edhe për mua, do të ishte bukur për të parë se çfarë mund të bëja te Manchester City“, përfundon trajneri gjerman.