Partnerët ndërkombëtare, gati ta mbështesin “Vettingun” në Kosovë
Në mbledhjen e fundit të qeverisë, u votuan anëtarët e ekipit që përbëhet nga ekspertët e pavarur për “Vettingun”, si hapi i parë që ky proces të nisë jetësimin në sistemin e drejtësisë.
Ky ekip do të hartojë skenarët për realizimin e “Vettingut”, kurse do të ketë mandat 3-mujor.
Si skenarin më ideal, në Institutin e Kosovës për Drejtësi, e vlerësojnë “Vettingun” me ndryshime kushtetuese.
"Ka pasur shumë fjalë, se ‘Vettingu’ mund të bëhet pa amandamente kushtetues, por kjo është jashë binarëve dhe nuk mund të bëhet. Prandaj ne kemi kërkuar, që ky proces të kalojë nëpër Kuvend të Kosovës, sepse duhet koncensus nacional", ka thënë Betim Musliu.
Vazhdimisht është bërë thirrje që “Vettingu” të realizohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar të Kosovës.
Është Ambasada e Britanisë, që në një përgjigje për RTK-në,ka pranuar se do ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.
“Përmes një projekti të financuar nga Mbretëria e Bashkuar, Ambasada e Britanisë është duke mbështetur transparencën, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e sistemit gjyqësor. Një pjesë e kësaj pune do të përfshijë ‘Vettingun’, dhe ne do të punojmë me Ministrinë e Drejtësisë për të ndihmuar, në ndërtimin e kapaciteteve të tij”, thuhet aty.
E gatshme për ta ndihmuar Kosovën, është shprehur edhe ambasada gjermane. “Ambasada Gjermane do të mbështesë forcimin e sundimit të ligjit dhe meritokracinë në Kosovë. Cilado mbështetje e mundshme do të jetë në përputhje me angazhimet e të gjithë partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të përfshirë në proces”, kanë thënë nga kjo ambasadë.
Por, përfshirjen e ndërkombëtarëve në procesin e “Vettingut”, e vlerësojnë si jetike në IKD. "Kredibiliteti i tërë këtij procesi do të jetë i pacenuar nëse do ta kemi përfshirjen e vendeve mike, në këtë proces të drejtësisë", ka thënë Musliu.
Por, jo të gjithë ndërkombëtarët kanë vlerësime pozitive për “Vettingun”. Një diplomat amerikan, muajin e kaluar kur qëndroi në Kosovë, tha se ky proces ka edhe rreziqe. “Ka sfida e rreziqe të ndryshme, nëse keni sistemin e drejtësisë dhe bëni ‘Vetting’. Gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nëse nuk e kalojnë pragun ata largohen. Duhet të bëni disa gjëra të tjera para ‘Vettingut’”, ka theksuar Jorgan Andrews, Zv/ndihmës sekretar i shtetit amerikan. Një proces i ‘Vettingut’ ka nisur edhe në Shqipëri në vitin 2017, por që është vlerësuar se nuk ka pasur suksesin e pritur.
Autor: Besian Beha























