Thaçi: Heroizmi i Jasharajve mobilizoi botën shqiptare
Njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë parakaluar sot në nderë të Epopesë së UÇK-së. Aty u bën bashkë të gjithë liderët institucional të vendit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova është storie e suksesshme, dhe secili qytetar duhet të ndjehet krenar me lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Sot institucionet më të larta shtetërore nderojnë heroizmin dhe sakrificën më të madhe, nderojnë familjen Jashari, komandantin legjendar Adem Jashiri, Hamzen dhe gjithë të rënët me 5,6,7 mars në Prekazin heroik. Heroizmi i Jasharjave mobilizoi botën shqiptare kudo. Heroizmi i Jasharajve dhe lufta e tyre titanike i vuri në lëvizje gjithë diplomacinë botërore”, tha Thaçi.
Thaçi tha se sot kujtojnë plagët e invalidëve të luftës, kontributin e veteranëve dhe gjithë atyre që ranë për liri e pavarësi.
Ai shtoi shtoi se Kosova e ka të qartë rrugën e vet përpara që është në rrugë të drejtë euroatlantike.
Ndërsa Vjosa Osmani tha se është e nderuar që në emër të Kuvendit të Kosovës t’u drejtohet Forcave të Sigurisë se Kosovës për të cilat tha se janë sinonim i mbrojtjes së sovranitetit.
“FSK sinonim i shtetësisë, mbrojtës së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit tonë”, tha Osmani.
Ajo tha se me heroizmin e tij komandanti, Adem Jashari krijoi solidaritet të jashtëzakonshëm shoqëror, duke ngjallur frymën e kryengritjes.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sot 22 vite më parë po ndodhte kulmimi i një situate të re të jashtëzakonshme që bota se kishte parë. Ai tha se një familje e tërë me vetëdije e të patrembur po luftonte me një shtet fashist që bota ende nuk po e definonte si të tillë.
Adem Jasharin e quajti strateg.
“Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen. E ndryshuan secilën familje shqiptare sepse i vetëdijesuan ato, gjithçka ndryshoi përgjithmonë. Kemi sakrifikuar shumë që të kemi të drejta e liritë tona, të kemi shtetin, ushtrinë tonë, të fortë e madhështore. Ne duam ushtri të fortë, profesionale që mbron tërësinë tonë territoriale. Duam anëtarësim në NATO”, tha ndër të tjera Kurti.
Sipas tij, aleancën me SHBA-të nuk mund ta prish askush.
“Është interes i yni strategjik e jetik aleanca me SHBA-të. Këtë aleancë nuk mund të cenoje e prish askush. SHBA-të e duan një Kosovë të fortë e pavarur. FSK mund të ngjajë ushtri e vogël por është partnere e denjë e NATO-s. Jasharajt na mësuan që asgjë nuk mund të arrijmë pa vetmohim”, tha ai.























