Për herë të parë në krijimin e BE-së një President kundër vendit të tij
“Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Evropian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Evropës e vendit të tij”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke komentuar letrën e Presidentit Ilir Meta, drejtuar Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Olivér Várhelyi.
Rama tha se “për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin pro dhe Presidentin e vet kundër vendit e kundër vetë Brukselit”.
“Shqipëria mund ta marrë, mund të mos e marrë ‘Po-në’ që meriton nga Këshilli Evropian, po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh, as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit”.
“Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin”, tha Rama.























