Barca çmenduri për Neymarin, sakrifikon Griezmannin dhe Dembele-n
Barcelona është thjesht e çmendur nga ideja për të rikthyer Neymarin në merkaton e verës, aq sa është gati të provojë çdo strategji të mundshme për ta bërë realitet këtë.
Pikësëpari është nevoja për të pasur në sulm një futbollist, që siç po konfirmohet tani, të dijë të bëjë diferencën në mungesë të njërit prej dy liderëve të repartit ofensiv katalanas, Luis Suarezit dhe Lionel Messin.
Por duke mbetur te “Pleshti”, ndoshta vetëm futbollisti i PSG-së është ai që mund të shkrijë edhe tundimin më të vogël në kokën e argjentinasit për t’u larguar nga Barcelona, për tepër me parametër zero, në verën e ardhshme sipas klauzolës që ka në kontratën e tij. Prandaj, tratativa për Neymarin me PSG-në ka prapa saj një mori me benefite, një prej të cilave është edhe ulja tashmë e pretendimeve të kampionëve të Francës për të lënë të lirë 28- vjeçarin.
Drejtori teknik i transalpinëve, Leonardo, është shumë i lodhur nga bëmat e yllit të “Seleçaos”, i cili duket se ka nisur të infektojë për keq edhe liderin absolut të PSG-së, Kylie Mbappen, që ashtu si Neymari duket shumë i joshur nga ideja për të lënë Parisin, për të luajtur pse jo në Madrid, te Reali, apo akoma më shumë te Liverpooli, që ka nisur të punojë së fundmi në prapaskenë. Prandaj, nëse Neymar do të bënte të lumtur shumë persona në Katalunjë, edhe në Paris do të ishin shumë të lumtur për ta përshëndetur, ndonëse problemi janë paratë.
Kampionët e Francës kanë ulur pretendimet në 180 milionë euro për kartonin e amerikanojugorit, pasi e paguan 3 sezone më parë 222 milionë euro (shifra e klauzolës). Por Barcelona, e cila ka nisur që të shohë me shumë kujdes bilancet e saj të rrezikshme, ka vendosur që të provojë t’i bëjnë një ofertë tjetër PSG-së: kartonët e Antonie Griezmann (u pagua 120 milionë euro) dhe të Osman Dembelen (u pagua 105 milionë euro, plus 37 milionë të tjera bonuse) në këmbim të atij të Neymarit.
Ideja në fjalë mund të duket joshëse, nëse mendon se dy lojtarët që Barça ofron kalojnë edhe 222 milionët që PSG-ja pagoi për Neymarin, por tani duhet kuptuar nëse Griezmann, apo qoftë edhe Dembele, do pranonin që të luanin sërish nën hijen e një tjetër ylli si Mbappe, në Paris, pasi këtë po e bëjnë edhe te Barcelona, ku Lionel Messi është pak ta quash edhe një perëndi…























