`Pse shoqëria kosovare nuk i mbrojti gratë nga krimet e luftës?`
Vasfije Krasniqi-Goodman ka akuzuar deputetët se nga foltorja e Kuvendit të Kosovës kanë dalë fjalime që i kanë lënduar shumë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ajo me lot në sy ka pyetur se ku ishte shoqëria kosovare para 21 vjetësh që nuk i ka mbrojtur gratë e krimet e luftës.
Sipas saj duhet t’i vijë turp shoqërisë kosovare që të mbijetuarat e dhunës seksuale po viktimizohen çdo ditë.
“Prej kësaj foltore kanë dalë fjalë që na kanë lënduar neve viktimave shumë. Shoqëria na stigmatizon, neve na bënë që të mos ndihemi vajza të mira, gra të mira, por edhe nëna të mira. Po ku ishit ju para 21 vjetësh, a ishin në tavane kur iu dhunua gruaja nëpër dhoma e ku e morët guximin ta braktisni atë grua? Ku ishin djemtë që e panë nënën duke u dhunuar e përzënë nga shtëpia dhe e mbajtët gruan duke e mos ditur se edhe ajo është e dhunuar. Ku ishit ju ku u dhunua jeta shtatëvjeçares, e tash ju çka po bëni për të na lehtësuar jetën? Duhet t’i vijë turp të gjithë shoqërisë kosovare që po na viktimizoni çdo ditë! Ne nuk po duam asgjë nga shteti përveç drejtësi, duam mbështetje. Ajo çka na ka ndodhur ka qenë krim i luftës dhe ju nuk ishit aty për të na mbrojtur”, tha ajo para deputetëve në seancën për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman iu drejtua të gjithë duke u thënë se ‘qysh kanë fytyrë që t’i lënë gratë dhe vajzat e tyre që u dhunuan gjatë luftës që të kërkojnë ndihmë nëpër shoqata e ata t’i torturojnë vetëm sepse ato u dhunuan’.
Ajo theksoi se është koha e fundit që kjo gjendje të ndryshojë, teksa pati edhe një kërkesë për deputetët e Kosovës.
“Ne jemi duke e bërë një punë që shumica prej juve nuk jeni në gjendje me e bë për nënën e juaj, vajzën tuaj, gruan tuaj, motrën tuaj. Por si keni ju fytyrë kur e dini që gruaja apo vajza juaj ndihet më mirë dhe më lirë që të shkojë te një shoqatë, të ballafaqohet me jetën e përditshme që i ka ndodhur asaj sesa ta ketë mbështetjen te ti. Kjo është e tmerrshme për krejt shoqërinë e Kosovës e sidomos për burrat që i dëmtojnë gratë sot me rrahje me mundime vetes për atë që bëri armiku gjatë luftës Duhet të ndryshoni, sepse ka ardhur fundi më që 20 vjet ne boll i kemi duruar, por më nuk ju durojmë dhe nuk ua falim atë që na keni bërë ta përjetojmë që 20 vjet. Në fund të gjithë deputetë, institucionet e Kosovës që krimet e luftës të merren me seriozitet dhe boll ishte që 20 vjet të mos dënohet asnjë rast i dhunimit. Ju e dini që unë rastin e kam humbur. Ma ka humbur UNIMIK-u, ma ka humbur EULEX , por edhe shteti im nuk ka bërë asgjë për drejtësi. Por unë nuk do të ndalem dhe do të luftoj që tjerat të kenë mundësi që të kenë drejtësi”, theksoi ajo.
Vasfije Krasniqi është njëra nga femrat e rralla kosovare që ka folur për dhunën e përjetuar seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ajo si 16-vjeçare ishte marrë nën kërcënimin e armëve nga shtëpia e saj më 13 prill 1999 nga një burrë me uniformë të Policisë së Serbisë.
Rreth 20 mijë gra i janë nënshtruar dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.
Vasfije Krasniqi tani jeton në SHBA dhe është nënë e dy fëmijëve.























