Meta, takim me katër personalitete të shëndetësisë shqiptare
Presidenti Ilir Meta priti sot në takim katër personalitete të shquara të shëndetësisë shqiptare, me të cilët ndau disa shqetësime për situatën e shkaktuar si pasojë e përhapjes në vendin tonë të COVID_19, si dhe për marrjen e të gjitha masave të domosdoshme për të mos lejuar përshkallëzimin.
“Profesor Isuf Kalo, mjeku i parë shqiptar në stafin permanent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kopenhagen, mjekët e nderuar dhe me një eksperiencë të jashtëzakonshme në sistemin shëndetësor, Fedhon Meksi dhe Andrea Gudha, si edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu më njohën me pikëpamjet e tyre shumë të vyera për tejkalimin me pasoja sa më të lehta të kësaj situate të vështirë, që në vlerësimin e përbashkët kërkon përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim të ngushtë dhe transparencë. Së bashku vlerësuam punën e jashtëzakonshme të të gjithëve mjekëve, infermierëve, sanitarëve dhe personelit mbështetës që janë duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal, duke theksuar se përfshirja e kapaciteteve të çmuara njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, është hap vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore”, -thotë Meta.
Më tej, presidenti Meta i bëri thirrje qytetarëve për kujdes maksimal dhe zbatim të të gjitha këshillave dhe rekomandimeve të autoriteteve. /ATSh























