Shënon rritje numri i kërkesave për azil në Kosovë
BKT
Lajme

Shënon rritje numri i kërkesave për azil në Kosovë

Arbenita Marmullaku

Numri i kërkesave për azil në vendin tonë në fillim të këtij viti ka shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me dy vitet e kaluara. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2018 në Kosovë azil kanë kërkuar 600 persona. Në vitin 2019, 2 mijë e 100, kurse vetëm në muajin janar të këtij viti janë bërë mbi 300 kërkesa. Sipas zyrtarëve të Departamentit për Azil dhe Migracion në Ministrinë për Punë të Brendshme pjesa më e madhe e azilkërkuesëve vijnë nga Siria.

Të ardhur nga zonat e luftës mbi 900 sirian kanë kërkuar azil në Kosovë. Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë për Punë të Brendshme,  Valon Krasniqi, tha për Radio Kosovën se këta azilkërkues po e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit dhe jo si destinacion.

 “Të gjithë këta persona me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, kanë kërkuar mbrojtje  ndërkombëtare dhe janë vendosur në qendrën e azilit.  Mesatarja e qëndrimit të azilkërkuesve në vendin tonë, në vitin 2019, ka qenë 12 deri 14 ditë. Pas kësaj periudhe ata e kanë lëshuar vendin për të vazhduar rrugëtimin e tyre me gjase ne vendet e zhvilluara te BE-së”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se numri  i azilkërkuesve  është i madh duke pasur parasysh se Kosova nuk ka kapacitete për strehim të gjithë atyre personave në qendra të azilit. 

“Për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve që kemi pasur Ministria e Punëve të Brendshme ka punuar edhe në rritjen e kapaciteteve të akomodimit  edhe për 200 shtretër tjerë në dy objekte që gjinden në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës..

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë incident të raportuar me shtetas nga Siria”, tha ai.

Ndërkaq gjatë vitit 2019 në Kosovë janë lajmëruar 2081 migrantë, kryesisht nga shtetet e lindjes. Zakonisht janë pesë kushte të cilat duhet t’i plotësojnë azilkërkuesit për të hyrë në një shtet. Ata duhet ta lëshojnë territorin ku ka luftë, ku nuk respektohen të drejtat e njeriut, ku ka probleme fetare dhe të përkatësisë etnike dhe ku ka probleme politike.

Ndërkohë Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim i ka thënë Radio Kosovës se deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident të raportuar me shtetas nga Siria.


MË SHUME NGA Lajme