Qeveria do të përkrahë Malishevën për nevojat emergjente
Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilja Rexhepi, ka vizituar sot Komunën e Malishevës, me qëllim të njohjes për së afërmi me situatën e përgjithshme në këtë komunë, pas paraqitjes së rasteve të të prekurve me koronavirus.
Ajo me këtë rast është pritur nga kryetari Ragip Begaj nga i cili ka marrë konfirmimin se janë duke menaxhuar situatën me kujdes pas katër rasteve të konfirmuara në këtë komunë.
“Ne jemi këtu sot, në emër të Komisionit të Posaçëm për parandalimin e COVID-19, me qëllim të solidarizimit me qytetarët dhe pushtetin lokal të Malishevës, dhe për t’u njoftuar me situatën e përgjithshme, menaxhimin e situatës dhe për tu njoftuar me nevojat që ka Malisheva”, tha ministrja Rexhepi.
Ajo shprehu gatishmërinë e Qeverisë dhe Ministrisë, për ta përkrahur Malishevën për nevojat emergjente, për përballimin e situatës së krijuar, pa si tashmë kjo komunë është në karantinë.
Ministrja Rexhepi, tha se “do të jetë 24 orë në shërbim për ofrimin e mbështetjes komunat, për çdo lloj emergjence që paraqitet”.























