Interi kërkon mbrojtësin e River Plate
Interi ka nisur kontaktet me River Plate për blerjen e mbrojtësit Lucas Martinez Quarta, një 24-vjeçar në dy sezonet e fundit ka zhvilluar paraqitje mjaft të mira me klubin e njohur argjentinas, duke u shndërruar në titullar të prapavijës.
Argjentinasi është 1.83 metër i gjatë dhe luan si qendërmbrojtës, por përveçse një futbollist i fortë e energjik, shquhet edhe për nivelin mjaft të mirë teknik dhe vizionin e lartë për lojën, pasi shpesh manovra sulmuese e Riverit nis që nga këmbët e tij.
Për futbollistin i pari që ka folur me superlativa ka qenë ish legjenda e Interit, tashmë zëvendëspresident në klubin zikaltër, Javier Zanetti, që për mediat argjentinase deklaroi se po ndjek me vëmendje rritjen e vazhdueshme të Quarta.
Klubi argjentinas e vlerëson rreth 22 milionë euro mbrojtësin, por marrëveshja mund të mbyllet për një shifër prej 15 milionë eurosh, duke parë edhe zhvlerësimin e monedhës në Argjentinë, por edhe dëshirën e lojtarit, që në moshën 24-vjeçare është gati për t’u nisur drejt Europës.
Nga ana tjetër Conte e pret krahëhapur futbollistin, pasi në idenë e tij për futbollin, organizimi i sulmit nis që nga mbrojtja dhe momentalisht vetëm holandezi De Vrij i përgjigjet kërkesave të trajnerit, duke provuar daljen me top dhe nisjen e sulmeve të rrezikshme.























