MEPJ: Shqiptarët që shkelin rregullat e Schengenit s’do të penalizohen
Të gjithë shqiptarët që ndodhen në Gjermani dhe Francë dhe që kanë shkelur afatin e qëndrimit në zonën Schengen, nuk do të penalizohen. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
“MEPJ informon të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Gjermani, të cilët tejkalojnë qëndrimin e lejuar në hapësirën Schengen dhe dëshmojnë se për shkak të situatës së Covid-19 e kanë të pamundur lëvizjen, nuk do të penalizohen. Shtetasit e vendeve të tjera, nuk do të lejohen të hyjnë në Francë për 30 ditët e ardhshme, me përjashtim të atyre që kanë lejeqendrimi të vlefshme në Francë. Nuk do të merren vendime për largimin nga territori francez për qytetarët, të cilët tejkalojnë qëndrimin e lejuar në hapësirën Schengen dhe dëshmojnë se për shkak të situatës së Covid-19 e kanë të pamundur lëvizjen, thuhet në njoftimin e MEPJ.
Një vendim të ngjashëm si këto dy vende kanë marrë Danimarka dhe Belgjika, edhe pse kjo e fundit është një nga të paktat shtete pjesë e Schengen që nuk ka mbyllur kufinjtë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duke u bërë thirrje qytetarëve të evitojnë çdo lëvizje, ka vendosur numrat e kontaktit në rast nevoje për shqiptarët që mund të jenë bllokuar jashtë vendit.























