Kreu i FFK-së siguron kompleks për karantinë të sportistëve
BKT
Sport

Kreu i FFK-së siguron kompleks për karantinë të sportistëve

Presidenti i FFK-së Agim Ademi ka bërë të ditur se ka siguruar një kompleks për karantinë për nevojat e sportistëve në rast do të jetë e nevojshme një gjë e tillë si pasojë e koronavirusit Covid-19.

Ai sot ka qëndruar për vizitë në kompleksin sportiv “Bazel” në fshatin Rakaj të komunës së Ferizajt, ku është pritur nga pronari Ahmet Shora. Me këtë rast presidenti Ademi u dakordua me z. Shora që ky kompleks të shndërrohet në karantinë për sportistët në rast se paraqitet nevoja në situatën në të cilën po kalon vendi, ku të gjitha shpenzimet do t’i bartë FFK-ja. Presidenti Ademi theksoi se ky kompleks i plotëson të gjitha kushtet për karantinë për sportistët, me 70 shtretër, me restorant, me sallën stërvitore, ajrin e pastër dhe fushën e madhe për futboll. Edhe z. Shora u shpreh plotësisht i gatshëm që ta përgatisë këtë kompleks në shërbim të FFK-së dhe sportistëve. Kreu i FFK-së gjatë ditës e ka vizituar edhe KF "Vitia" nga komuna më e prekur dhe e izoluar për shkak të numrit të të infektuarve me koronavirus. Kreu i FFK-së u interesua për gjendjen e futbollistëve dhe punëtorëve sportivë, si dhe u shpreh i gatshëm për të ndihmuar me gjithçka që është e nevojshme. Nga ana e tij pronari i klubit, Florent Emini e falënderoi dhe e çmoi përkushtimin e presidentit të FFK-së për kujdesin që po e shfaq në këto kohë të vështira dhe theksoi se kështu ai po e dëshmon edhe një herë se është një lider i vërtet i institucionit të futbollit dhe që kujdeset në çdo kohë për anëtarët e vet.