COVID 19/ Ushtria e gjitha në mbrojtje të popullit
“Ushtria do të vihet e gjitha në mbrojtje të popullit nga një pakicë fare e vogël individësh të papërgjegjshëm”, tha të premten kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama, duke publikuar pamjet e zbarkimit të Forcave të Armatosura në Tiranë, ka theksuar se populli nuk ia ka borxh asnjë individi tradhëtinë në këtë përpjekje kombëtare për jetën e njeriut.
“Ushtria do të vihet e gjitha në mbrojtje të popullit nga një pakicë fare e vogël individësh të papërgjegjshëm, tradhëtarë të vërtetë, që mund të na bëjnë hatanë dhe nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë të marrin në qafë mijëra e mijëra të pafajshëm, e t’u sjellin vuajtje të mëdha dhjetëra mijëra të tjerëve”,- theksoi Rama.
“Duhet t’i ndalim me çdo kusht dhe do të përdorim çdo mjet, deri në heqjen e plotë të lirisë nëse nuk do të tërhiqen urgjentisht nga rruga e tyre qorre, populli nuk ia ka borxh asnjë individi tradhëtinë në këtë përpjekje kombëtare për jetën e njeriut”,- theksoi Rama.
Në funksion të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për të respektuar rregullat e përcaktuara nga qeveira, FA-të kanë shtuar prezencën e tyre në terren në mbështetje të policisë së shtetit. Automjete të blinduara të forcës tokësore, që janë tashmë në çdo lagje të Tiranës, të ndarë në pesë zona të ndryshme për të mbështetur policinë e shtetit për të disiplinuar ata qytetarë që nuk respektojnë fashat orare duke rrezikuar dhe ata që i respektojnë këto orare. /ATSh























