Nga java e ardhshme mësim online edhe për shkollat e mesme të larta
Mësimi online javën e ardhshme pritet të fillojë edhe për shkollat e mesme të larta në Kosovë. Krahas kësaj do të zgjerohet edhe lista e lëndëve për klasat e shkollave fillore. Ndërsa, po bëhen përgatitjet edhe për vlerësimin virtual, por që pritet të hasë në vështirësi.
Ministrja e MASHTI-it, Hykmete Bajrami, në një konference për media deklaroi se të gjitha materialet dhe përmbajtjet e mësimit në distancë do të jenë të hapura, por ato nuk mund të modifikohen dhe të përdoren për qëllime përfituese.
Bajrami: Jemi duke punuar për implementimin e projekteve për vlerësimin online
“Jemi duke punuar. Kemi projekte që implementohen nga donatorë të ndryshëm. Pjesa e “E-ditarit” është projekt i Bankës Botërore. Po diskutojmë edhe me donatorë të ndryshëm se si ta implementojmë. Nuk mund të them se është komplet e mundshme për shkak se jo të gjith ë mësimdhënësit i kemi të pajisur me kompjuterë. Jo të gjithë i kemi të trajnuar me “E-ditarit” është një numër i kufizuar i mësimdhënësve në Kosovë që kanë pas përgatitje”, u shpreh ajo.
Zëvendësministri Jusuf Thaçi tha se janë duke bërë prodhime masive të video-ligjëratave, afërsisht 50 në ditë, të cilat do të publikohen në RTK dhe YouTube.
Për cilësinë e ligjëratave, Thaçi tha se mund të ketë edhe gabime, për të cilat u shpreh se janë të pamundur të rikthehen në ri-xhirim.
Thaçi: Jemi duke punuar në dy fronte
“Ministria është duke punuar në dy fronte. E para është duke prodhuar materiale mësimore vetë të cilat është duke i plasuar te publiku përmes RTK-së dhe kanalit zyrtar në YouTube. Këto janë dy burimet që ministria i plason te publiku materialet mësimore që është duke i prodhuar... Jemi duke bërë prodhim masiv të video-ligjëratave. Afërsisht 50 të t illa në ditë që nënkupton se është duke bërë një punë e madhe, masive”, tha ai.
Ndërsa, zëvendësministri tjetër, Xhavit Rexhaj tha se kanë formuar një grup punues për të nisur mësimin edhe në shkollat e mesme të larta, të cilat kanë bazën e duhur teknologjike.
Rexhaj: Shkollat që e kanë bazën teknologjike besoj që mund të fillojnë mësim online
“Shkollat që janë në gjendje të fillojnë që e kanë bazën teknologjike besoj që mund të fillojnë. Të tjerat do të shohim mënyra për ata që s’mund të fillojnë. Do të shohim mënyra që në formën e centralizuar të sigurojmë shërbimet arsimore për aq sa mundemi në këto kushte”, tha ai.
Më 13 mars në Kosovë është pezulluar përkohësisht procesi mësimor për shkak të pandemisë COVID 19.























