Basha: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë Shqipërinë

Basha: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë Shqipërinë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë thirrje Qeverisë Rama që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Basha kërkon të urdhërohet mbyllja e të gjitha bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambiente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call-centers, të mos vonohet detajimi i paketës së shpallur të ndihmës dhe të bëhet gati një paketë tjetër, pasi ajo e para është e pamjaftueshme.

Ai gjithashtu kërkon që të gjithë ata që do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi dhe që janë në pamundësi për të punuar, duhet të marrin pagë të mjaftueshme për të garantuar minimumin jetik në shtëpitë e tyre.

“Të ndërpritet menjëherë çdo shpenzim tjetër dhe çdo transferim tjetër nga thesari dhe të gjitha paratë e taksapaguesve të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve dhe nevojat akute ekonomike m e të cilat po përballen një numër në rritje familjesh”, është shprehur Basha në Facebook.