Konferenca e Parë Ndërqeveritare pasi të plotësohen kushtet e Bundestagut

Konferenca e Parë Ndërqeveritare pasi të plotësohen kushtet e Bundestagut

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, thotë se takimi formal për çeljen e negociatave me BE-së do të mbahet pas plotësimit të kushteve që janë vendosur nga Bundestagu gjerman.

Pikërisht, Konferenca e Parë Ndërqeveritare, është kushtëzuar me mbylljen e reformës zgjedhore, funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese, vazhdimin e plotësimit të vakancave të tjera në gjyqësor dhe përfundimin e procesit të themelimit të strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për më tepër, Cakaj shprehu angazhimin për të plotësuar me efiçencë të plotë këto kushte, pavarësisht se këto detyra, sipas Kryediplomatit, nuk vënë aspak në pikëpyetje as faktin e hapjes së bisedimeve, as nuk ngarkojnë përmbajtjen e vendimit të sotëm për Shqipërinë.

Në përfundim të fjalës, ai shprehu mirënjohjen për të gjithë Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për vendimin e sotëm, po ashtu edhe për të gjithë bashkëpunimin e mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë Shqipërisë, gjatë gjithë kësaj periudhe.


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare