Bregu për hapjen e negociatave: Arritje e merituar

Bregu për hapjen e negociatave: Arritje e merituar

Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së Majlinda Bregu ka komentuar mbi vendimin e Shteteve Anëtare të BE për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Ajo është shprehur se ky është një lajmi i mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Bregu thotë se kjo është arritje e merituar për të gjithë punën e madhe, përkushtimin dhe angazhimin e dy shteteve në udhëtimin për anëtarësim në BE.

Kjo është deklarata e plotë:

Deklaratë e Sekretares së Përgjithshme të RCC Majlinda Bregu mbi vendimin e Shteteve Anëtare të BE për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

“Evropa nuk do të bëhet menjëherë, apo në bazë të një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete të cilat së pari krijojnë një solidaritet faktik (de-facto)”

Robert Schuman

Tiranë / Sarajevë – “Lajm i mirë par ne sot, pasi vendet anëtare të BE arritën një marrëveshje të vonuar politike për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke konfirmuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë. Përgëzoj me gjithë zemër si Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut që demonstruan vendosmëri për të çuar përpara axhendën e reformave Europiane dhe vazhdojnë të japin rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, duke përmbushur kushtet e anetëtarësimit. Kjo është një arritje e merituar për të gjithë punën e madhe, përkushtimin dhe angazhimin në udhëtimin e anëtarësimit në BE.

Shumë herë e kam imagjinuar këtë ditë, por asnjëherë se do të vinte kështu. E brishtë, e tendosur, e munduar nga lodhja e capitjes sonë të gjatë drejt saj. Asfare se kisha menduar që të ngërthyer mes krizave e së fundmi kërcenimeve prej një virusi mizor, do të na dukej kjo ngjarje si dytësore. Ja pra si për ironi të fatit, shembja e murit e celja e portës për të hyrë më në fund në Europë duhej të vinte në këtë realitet kur muret po na rezultojnë trishtueshëm e vetmja siguri!

Në mes të krizës globale të pandemisë dhe lajmeve të trishtueshme që dëgjojmë kohët e fundit, ky lajm sjell një buzëqeshje në fytyrat tona. Ne nuk e dimë se sa do të zgjasë, por jemi të gjithë të sigurt se bota do të jetë një vend shumë më ndryshe më pas. Prandaj, perspektiva e përforcuar e BE-së dhe fakti që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elementë thelbësorë të procesit të zgjerimit, të bazuar në besimin reciprok, solidaritetin,  kriteret dhe detyrimet e qarta, do të thotë shumë për rajonin.

Nuk do të jetë e lehtë. Nëse BE pritet të përballet me recesion si rezultat i kësaj pandemie, (parashikohet recesioni ekonomik nga 2-10 pikë), ne gjithashtu mund të projektojmë kostot shqetësuese të pandemisë në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Dhe kam frikë se kostoja do të jetë e lartë. Prandaj, cdo ndihmë që mund të marrë rajoni është shumë e nevojshme.

Evropa nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe së bashku ne mund ta bëjmë atë të plotë!”


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare