Policia interviston personin që e kërcënoi me vdekje deputetin Haxhi Shala
Shefi i Grupit Parlamnetar të Nismës, Haxhi Shala, mbrëmjen e së martës është kërcënuar me jetë. Tashmë, policia ka arrestuar dhe liruar personin e dyshuar për kanosje ndaj Shalës.
Në një postim në Facebook të publikuar nga Shala, ku kishte njoftuar se mbledhja e Kuvendit të Kosovës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, do të mbahet të mërkurën, një person ka komentuar me fjalë banale dukle e kërcënuar Shalën.

E Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda e PK-së, pas pranimit të kësaj informate, ka intervistuar Shemsi Jonuzin, si të dyshuar për kanosje përmes rrjeteve sociale.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Policia e Kosovës.
“Pas informatës se dje, më 24.03.2020, një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes rrjeteve sociale, ka pranuar një mesazh kërcënues për jetën e tij, sot më 25.03.2020, zyrtarët policor kanë kontaktuar deputetin në fjalë dhe ka filluar hetimet policore. Hetuesit policorë, kanë identifikuar dhe më pas intervistuar të dyshuarin Sh.J. i cili dyshohet ta ketë kryer kanosjen, përmes rrjeteve sociale”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, bëhet e ditur se i dyshuari është liruar me vendim të prokurorit.
“Me vendim të prokurorit kompetent personi i dyshuar është liruar, dhe rasti është proceduar në procedurë të rregullt”, thekson komunikata.GE























