Meta dekreton ligjin për pajisjet mjekësore
BKT
Shqipëri

Meta dekreton ligjin për pajisjet mjekësore

Në njoftimin e publikuar nga Presidenca thuhet se, “Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, ka dekretuar shpalljen e ligjit nr. 21/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.89/2014 ‘Për pajisjet mjekësore”’, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë”.

Ky ligj u miratua më 5 mars në Kuvend. Gjatë diskutimit në Kuvend të ndryshimeve në ligjin “Për pajisjet mjekësore”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se, “këto ndryshime janë të duhurat për sa i përket vendosjes në treg, regjistrimit dhe të gjithë elementëve që kanë të bëjnë me sigurinë e pajisjeve mjekësore, që përbëjnë një element të rëndësishëm në sistemin shëndetësor”.

“Këto ndryshime ligjore kanë të bëjnë me përafrimin e legjislacionit tonë sa i përket direktivave europiane në lidhje me pajisjet mjekësore. Ndryshimet janë të konsultuara me të gjitha grupet e interesit. Këto propozime do të ndikojnë tërësisht në përmirësimin e procedurave rregullatore për të garantuat rritjen e cilësisë të standardeve të prodhimit, importit dhe tregtimit të pajisjeve mjekësore, përmirësimin e procedurave të shpërndarjes transportit dhe ruajtjes së pajisjeve, si dhe përmirësimin e nivelit të mbrojtjes, sigurisë dhe shëndetit të pacientëve, përdoruesve dhe palëve të treta”, tha ajo.

Manastirliu u shpreh se “ky projektligj dhe ndryshimet që propozohen vijnë si risi”. “Ligji ‘Për pajisjet mjekësore’ për herë të parë është miratuar në vitin 2014 dhe pas 5 vitesh që ka hyrë në fuqi është vërejtur se ka pasur disa vakuume, duke filluar pikë së pari nga regjistrimi i pajisjeve. Tani do të bëhen sipas klasave dhe kategorive që në momentin kur hyjnë në doganë, duke përcaktuar sasinë, llojin, skadencën në Agjencinë Kombëtare të Barnave”.

Ajo theksoi se “është një ndryshim i rëndësishëm sa i takon regjistrimit, licencimit, afateve të certifikimit të tyre bazuar në eksperiencat më të mira ndërkombëtare”.

“Pajisjet mjekësore janë shumë të rëndësishme në gjithë spektrin e shërbimeve shëndetësore dhe ne e kemi thënë se shërbimi shëndetësor universal ka në përpjekjet e tij të ofrojë akses të barabartë në shërbime. Ky projektligj i hap rrugë rimbursimit, regjistrimit, sigurisë, certifikimit dhe cilësisë të pajisjeve mjekësor që hidhen në treg”, tha Manastirliu.


MË SHUME NGA Shqipëri