​Ndërron jetë 67-vjeçari, viktima e dhjetë me COVID-19 në Shqipëri

​Ndërron jetë 67-vjeçari, viktima e dhjetë me COVID-19 në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67-vjeçar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19.

“67-vjeçari me inicialet Ll. N. ishte prej 10 ditësh i sëmurë dhe po trajtohej prej katër ditësh në terapi intensive në gjendje të rënduar, i intubuar. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, pacienti që vuante nga hipertensioni, nuk arriti të mbijetojë. 67-vjeçari është viktima e dhjetë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri”, deklaron Ministria e Shëndetësisë.

“Mbrëmjen e djeshme ndërroi jetë një paciente nga Vlora, me inicialet L. M., e shtruar prej 4 ditësh në spitalin infektiv dhe në dy ditët e fundit në terapi intensive në gjendje të rëndë. Ju informojmë se pacientja që rezultonte në kartelën e spitalit infektiv në moshën 52 vjeçare, sikundër u raportua mbrëmjen e djeshme, pas verifikimeve me gjendje n civile, është 72-vjeçare”, sqaron Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve dhe apelon qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e izolimit dhe distancimit social. Ministria e Shëndetësisë ju kërkon qytetarëve të telefonojnë urgjencën kombëtare në numrin 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes dhe të mos shkojnë menjëherë në spital.