Vitia: Pesë nga 36 personat e shtrirë me Covid-19, në gjendje më të rëndë

Vitia: Pesë nga 36 personat e shtrirë me Covid-19, në gjendje më të rëndë

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, ka njoftuar se nga 36 pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, 5 janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Këtë e tha përmes një video-konference të mbajtur sot pasdite.

“Deri më tani janë kryer 1 mijë e 37 testime me mostra të dyshimta. Janë 91 raste të konfirmuara, 1 i vdekur dhe 1 i shëruar. 36 pacientë po trajtohen për COVID-19, 31 prej tyre janë në gjendje stabile, 5 të tjerë janë në gjendje shëndetësore më të rënduar dhe janë në oksigjeno-terapi”, ka theksuar Vitia.

Vitia ka kërkuar edhe një herë nga qytetarët që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe që koha e lejuar për qarkullim të mos keqpërdoret.

“Përsëri ju bëjmë thirrje për angazhimin tuaj në këtë situatë, ju lutemi që të shmangni edhe vizitat familjare dhe format e tjera të grumbullimit brenda familjeve. Kërkojmë që koha e lejuar për qarkullim të mos kuptohet si një hapësirë për t’u grumbulluar dhe rrezikuar shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës, por të respektojmë edhe pikën 3 të vendimit paraprak që mbetet në fuqi sipas të cilit: “Lëvizjet në rrugë të bëhen jo më shumë se dy persona dhe gjithmonë duke mbajtur distancën 2 metra me të tjerët” . Kjo vlen edhe për bizneset si supermarketet dhe subjekte të tjera, të cilat janë të obliguara që t’i marrin të gjitha masat për t’i zbatuar këto vendime”, ka shtuar Vitia.

Tutje ai ka thënë se ministria po vazhdon në shtimin e kapaciteteve dhe se është bërë kërkesa për furnizim me teste të reja.

“Një pjesë e testeve ka arritur në IKSHP, është iniciuar kërkesa për furnizim edhe me 10 mijë teste të reja. Po vazhdojnë donacionet nga organizata të shteteve mike, po ashtu edhe vullnetarët”, ka thënë Vitia.

Ndërkaq, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani tha se situata epidemiolgjike është nën kontroll për sa i përket Covid-19 në Kosovë, por qytetarët duhet të vazhdojnë të zbatojnë me përpikëri masat që janë ndërmarrë.

Ai th ase përveç 1037 mostrave të testuara deri më tash, testimet do të vazhdojnë sipas indikacioneve të përcaktuara në protokollet e hulumtimit epidemiologjik për Covid-19.

“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje rreth 2000 kontakte të rasteve”, tha prof.dr. Ramadani.

Sa u perkët rasteve me Covid në veri të Kosovës, profesor Ramadani ka thënë se testimet bëhen për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i përmbushin kriteret për testim sipas protokollit dhe se IKSHPK ka informata për dy raste pozitive në veri të Kosovës, të cilat kanë pasur kontakt me një person të konfirmuar si pozitiv në Covid 19 në Serbi, derisa është e drejtë e secilit qytetar që të trajtohet kudo që atij i duket e arsyeshme.

“Institucionet e Kosovës ofrojnë trajtim për secilin qytetar të saj”, tha ai.


MË SHUME NGA Aktuale