Nisja e bisedimeve aderuese me Shqipërinë, lajm i mirë për tërë Evropën

Nisja e bisedimeve aderuese me Shqipërinë, lajm i mirë për tërë Evropën

"Në valën e krizës me koronavirusin, Bashkimi Evropian vendosi të hapë bisedime aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky është lajm i mirë për të dy vendet, për Ballkanin Perëndimor dhe për tërë Evropën”, u shpreh sot Joseph Borrel, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian në një shkrim mbi nisjen e bisedimeve aderuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kemi lënë një javë shumë të vështirë pas me pandeminë e koronavirusit dhe pasojat globale në fokusin e ballinave dhe mendimeve tona. Këto zhvillime po ashtu e lanë në hije një vendim shumë të rëndësishëm, që nuk e mori vëmendjen e merituar”, theksoi Borrel.

“Me marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm në kohëra të tilla sfiduese, BE-ja shënoi përparim në një çështje të rëndësishme politike dhe me këtë i dërgoi sinjal të rëndësishëm dhe porosi të qartë Ballkanit Perëndimor: BE-ja dëshmoi se është e bashkuar rreth një prej politikave prioritare dhe këtë e bëri ndërsa merrej me krizën globale. Vendimi është vërtetë “një rreze drite në këtë terr rreth nesh”, ashtu siç tha kolegu im i nderuar dhe Ministër i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, në komentin e tij mbi vendimin për hapjen e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, u shpreh ai.

“Kemi kërkuar shumë nga të dy vendet dhe ato e kanë realizuar atë. Tani, BE-ja nga ana e vet, gjithashtu e bëri hapin e duhur. Është një porosi inkurajuese se kur punohet fort dhe kur ka lidership të mirëfilltë nga të dyja palët, kjo jep rezultate”, tha ai.

“Në këtë kontekst, dua ta përgëzoj Maqedoninë e Veriut që u bë anëtarja e 30-të e NATO-s këtë javë. Ky është një hap i rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të sigurisë europiane dhe transatlantike. Me padurim pres të kemi bashkëpunim të ngushtë tani gjithashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit BE-NATO”, tha ai.

“Me fillimin e negociatave aderuese, na pret shumë punë dhe hapja e bisedimeve aderuese ishte vetëm hapi i parë në një proces intensiv. Reforma të thella sociale, politike dhe ekonomike duhet të bëhen para anëtarësimit të plotë. Natyrisht që këto transformime marrin kohë dhe kërkojnë përpjekje por ajo që është me rëndësi është që “rrezja e dritës”  edhe për dy vende tjera duhet ta inkurajojë edhe pjesën tjetër të rajonit të bëjë atë që duhet bërë dhe të vijojë rrugën e reformave për të mirën e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Borrel.

Në kohëra si këto, vijoi Borrel, “kur të gjithë jemi duke luftuar kundër një krize të paparë dhe me pasojat e saj, duhet të demonstrojmë çfarë kuptimi në të vërtetë ka solidariteti europian dhe global. Solidariteti nuk mund të jetë vetëm një fjalë, që e përdorim pa pasur kurrfarë zotimi. Solidariteti patjetër që duhet të dëshmohet me vepra. Në kuadër të BE-së, vendet anëtare janë duke treguar solidaritet me atë se disa prej tyre janë duke pranuar pacientë nga spitalet e stërngarkuara në vende të tjera anëtare. Gjithashtu është duke u bërë punë e përbashkët për të siguruar kthimin e qytetarëve që kanë mbetur në vende të tjera të botës”. /ATSh


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare