Air Albania kthen në atdhe 122 bashkatdhetarë nga Zvicra

Air Albania kthen në atdhe 122 bashkatdhetarë nga Zvicra

Sapo u ul në Rinas avioni i Air Albania me 122 bashkatdhetarë nga Zvicra në bord.

Kryeministri Edi Rama deklaroi ditë më parë se janë 1 379 qytetarë shqiptarë që presin të kthehen në vend.

Ndërsa sot Kryeministri Edi Rama sqaroi se “misionet tona të riatdhesimit do të kthejnë në atdhe vetëm një numër të kufizuar personash, të mbetur rrugëve në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës; bashkëqytetarë që nuk paguanin dot më hotelet, ku ngecën keq në minutën e fundit apo një numër studentësh të mbetur në pikë të hallit”.

Avioni i kompanisë flamurmbajtëse shqiptare “Lasgushi”, pasi ka sjellë mbrëmë grupin e parë nga Italia, vazhdon operacionin e rikthimit të qytetarëve shqiptarë të izoluar nëpër vende të ndryshme të botës, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Ambientet e brendshme të Air Albania dezinfektohen pas çdo udhëtimi. Dezinfektimi kryhet nga bashkia Tiranë dhe monitorohet nga Njësia e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në aeroport.

Qytetarët e kthyer pasi plotësojnë formularët e vetëdeklarimit do të kalojnë 14 ditë në vetëkarantinim të monitoruar çdo ditë nga Policia e Shtetit. /ATSh