Kaos në kufi, shqiptarët bllokohen mes dy doganave

Kaos në kufi, shqiptarët bllokohen mes dy doganave

Dhjetëra shqiptarë kanë mbetur të izoluar mes dy doganave, greke dhe shqiptare për shkak se në mesnatë Shqipëria vendosi të mos lejojë askënd të kalojë. Vetëm pas denoncimit në Ora News është bërë e mundur lejimi i tyre për të kaluar në territorin shqiptar, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur ende pa zgjidhje.

Shqipëria u mbylli derën shtetasve të saj në luftën kundër koronavirusit.

Disa dhjetra emigrantë mbetën të bllokuar në tokën neutrale të Shqipërisë me Greqisë.

Prej mesnatës së të hënës në pikat kufitare, shkoi një urdhër që askush të mos lejohet të futet ne vend, pavarësisht se që prej 15 marsit në të gjithë pikat kufitare kishte lëvizje.

Mungesa e informacionit dhe moskoordinimit me palën greke bëri që emigrantët të  cilët tentuan të futen në Shqipëri të bllokoheshin në tokën neutrale në Kakavijë e Kapshticë.

Ata denoncuan këtë sjellje të autoriteteve shqiptare në Ora News, ndërsa disa orë më pas u lejuan të futen në Shqipëri.

"Nga ora 04:00 e mëngjesit dhe deri tani rrimë aty si kope bagëtish."

Një grup i dytë i emigrantëve mbeti i bllokuar në doganën greke, sipas burimeve me kërkesë të palës shqiptare, siç tregojnë edhe këto pamje të siguruara nga Ora Neës.

Me një situatë të ngjashme u përballën në doganën e Hanit të Hotit edhe një grup prej 11 personash që po ktheheshin nga Mali i Zi.

Edhe për ta zgjidhja erdhi falë ndërhyrjes së Ora News tek autoritetet vendore në Shkodër.

"Erdhët ju na ndihmuat dhe na zhbllokuat".

Shqipëria ka mbyllur zyrtarisht kufijve për lëvizjen e njerëzve prej 15 marsit, por çdo ditë në të gjitha pikat kufitare regjistroheshin hyrje deri në 100 persona në ditë.

Por burime nga drejtoria e Kufirit dhe Migracionit thonë se nga e mërkura nuk do të lejohet asnjë shqiptar apo i huaj të hyjë në tokën shqiptare nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës.