Nisin punë mjekët shqiptarë në Itali, Manastirliu: Jeni krenaria jonë
Sharr Travel

Nisin punë mjekët shqiptarë në Itali, Manastirliu: Jeni krenaria jonë

10 mjekët shqiptarë që u dërguan në mision ndihme në Itali kanë filluar sot punën në Spitalin e Breshias në Itali, ndërsa 20 infermierët do të fillojnë nesër – të ndarë sipas pavioneve ku janë nevojat më të mëdha.

Ministrja e Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u lidh drejtpërdrejt me mjekët në Spitalin e Breshias duke i shprehur mbështetjen maksimale për këtë mision humanitar.

“Ne mjekët filluam të gjithë punë sot, infermierët do të fillojnë nesër. Reanimatorët kanë filluar punë në reanimacion, ndërsa unë me gjithë doktoreshën tjetër jemi tek repartet e COVID subintensiv, në repartet e pneumologjisë. Ndërsa doktoresha që vinte nga Instituti i Shëndetit Publik është tek tamponët me gjithë dy mjekë të tjerë. Ndërsa dy mjekë janë vendosur në triazhim. Edhe infermierëve u kanë përcaktuar vendet dhe po i pajisin me veshjet e duhura dhe nga nesër do të fillojnë shërbimin”, tha Ermal Pashai, një nga mjekët e dërguar në Itali në misionin humanitar.

Manastirliu u shprehu mbështetjen në këtë moment të vështirë.

“Një këshillë kisha. E para, forca dhe kujdes veten të gjithë ju, pra kujdes materialet e mbrojtjes personale, veshja e duhur për të mos rrezikuar veten. E dyta, ju jeni krenaria jonë, ne kemi besim tek ju dhe do të doja që nëpermjet jush dhe gjithë ekipit tjetër t’ju uroja suksese në këtë mision humanitar”.

Grupi i mjekëve në Itali kanë kërkuar mirëkuptim nga media: “Ne duhet të përqëndrohemi tek kjo punë për të cilën kemi ardhur”.

Manastirliu tha se “ka një kohë për të punuar dhe për të luftuar, një kohë tjetër pastaj për të ndarë eksperiencën dhe kjo është koha për të luftuar dhe kush lufton nuk e ka mendjen te fjalët, por e ka mendjen te puna”./ A2 CNN