Rama: Të parët që morëm masa, po vazhduam kështu do shmangim katastrofën
BKT
Shqipëri

Rama: Të parët që morëm masa, po vazhduam kështu do shmangim katastrofën

“Ne masat i morëm të parët në Evropë dhe nëse ne do të vazhdojmë kështu të rezistojmë, siç kemi rezistuar tani, ne së pari, do shmangim katastrofën”, tha sot Kryeministri Rama në një studio televizive.

Në lidhje me pyetje se ndiheni i pafat se ra tërmeti dhe pastaj COVID-19, Kryeministri Edi Rama tha se “gjyshja ime thoshte se Zoti zgjedh shpatullat mbi të cilat vë gjërat e rënda. Është një situatë realisht e jashtëzakonshme. Nuk e ekzagjeroj nëse prapë do përsëris atë që kam thënë më shumë se një herë: Kur hap sytë në mëngjes më kujtohet e para gjë ajo  fjalë e Lindon Xhonsonit kur ju desh të dalë para popullit amerikan për t’u dhënë lajmin e kobshëm të vrasjes së Xhon Kenedit dhe tha: “Do jepja me kënaqësi gjithçka që kam, për të mos qenë unë sot këtu para jush”. Mirëpo kjo është një barrë për t’u mbajtur dhe duhet mbajtur deri në fund. Nuk ka mundësi që t’i shmangesh”.

Konstatimit se në rrethana emergjencash dhe krizash lufte jepni më të mirën, Rama tha “mbase, sepse në këto rrethana edhe vëmendja në atë që unë bëj është më e madhe dhe mbase prandaj duket më qartë vlera ime”.

Për sa i përket krizës konkrete të COVID-19 dhe nëse kryeministri ka bërë testim, Rama iu përgjigj: “Jo! Sepse unë mendoj se nuk duhet të testohet kur dikush nuk ka simptoma, por gjithkush duhet të sillet sikur e ka virusin, që do të thotë se duke u testuar nuk është se ndryshon diçka. Nëse bëjmë ekzaktësisht të njëjtën gjë që do të bënim dhe duhet të bëjmë, dhe unë bëj edhe pa u testuar. Kjo është arsyeja se testet ‘thjesht për ta marrë vesh’ nuk kanë vlerë, nuk janë të nevojshme dhe janë një shpenzim i kotë i tamponëve që duhen përdorur për njerëzit që realisht duhet të testohen”, tha ai.

Në lidhje me informacionin zyrtar se numri i të infektuarve është shtuar me 20 të tjerë, kryeministri iu përgjigj se “po, janë testuar më shumë se zakonisht”, ndërsa konstatimit se  mos vallë sa më shumë testohen, më shumë dalin, Rama tha se “unë nuk e kam një ide të tillë, por di se 60% e njerëzve e kanë marrë ose do ta marrin virusin. Pra virusi nuk ndalet. Virusi do të bëjë të vetën dhe ajo që është e rëndësishme është që ne ta ngadalësojmë përhapjen e tij, dhe aspekti tjetër është se duke e marrë shumica dërmuese nuk ndjenë asgjë dhe imunizohet, kështu që nuk e di sa është sot, por di që patjetër se ka më shumë se ata që janë të testuar dhe ata që testohen janë njerëz që kanë simptoma përtej një teshtime apo një kolle të thjeshtë apo një temperaturë të lehtë”.

Në lidhje me pyetjen se ndoshta të keqen e kemi përpara, Rama tha se “unë nuk e thashë këtë. Nëse ne do të vazhdojmë kështu, të rezistojmë siç kemi rezistuar tani, ne së pari, do shmangim katastrofën. Dhe së dyti, unë besoj që do mund të fillojmë të mendojmë për të lehtësuar masat më shpejt se shumë vende të tjera”.

Pyetjes se a e ka menduar se nuk do ia dalim katastrofës, Rama iu përgjigj se “pikërisht se e kam menduar, kam insistuar fort që të vendosen masat shumë shpejt dhe faktikisht kemi qenë të parët që kemi marrë masat shtrënguese, të parët që mbyllëm shkollat dhe universitetet në Europë, duke pasur vetëdijen se jemi të dobët dhe për këtë arsye duhet të vraponim më shpejt për t’u mbyllur në shtëpi”.

“Dhe ideja e katastrofës më ka qëndruar mbi kokë gjatë gjithë kohës. Një katastrofë do të thotë mijëra të vdekur. Përpara ca ditësh një ekspert në një studio TV demonstroi një projeksion me 18 mijë të vdekur potencialisht. Kështu që ne nuk kemi luksin jo mijëra, por dhe qindra të vdekur të rrimë e t’i numërojmë dhe për më tepër të kemi një kolaps të sistemit tonë shëndetësor. Kështu që ajo që po bëjmë është se po mbrojmë jetën me shtrëngesa të mëdha dhe me sekëlldi jo të vogël në shumë familje që nuk janë në kushte optimale për ta bërë këtë luftë, sepse pikërisht katastrofa është një skenar që duhet ta shmangim me çdo kusht”, tha ai. /ATSh


MË SHUME NGA Shqipëri