Rihanna hyn në histori me paraqitjen në kopertinën e British Vogue

Rihanna hyn në histori me paraqitjen në kopertinën e British Vogue

Rihanna bëri histori duke u bërë gruaja e parë që shfaqet në kopertinën e British Vogue e veshur me një durag si simbol të fuqisë së njerëzve me ngjyrë.

Shën.red. Durag,ose du-rag është një shall që vendoset në kokë, kryesisht për të mbajtur më mirë gërshetat. Duragët u përdorën fillimisht nga gratë e varfëra punëtore dhe skllave të shekullit XIX.

Pas Black Power Movement, lëvizje për fuqizimin e komuniteti afro-amerikan, duragët u kthyen në aksesor të zakonshëm dhe u përdorën nga shumë personazhe të njohur, duke përfshirë reperë dhe atletë. Duragët u bënë simbol të mbijetesës dhe fuqisë së afro-amerikanëve.

“A e kisha imagjinuar ndonjëherë që do të shihja një durag në kopertinën e Vogue?” shkroi në Instagram redaktori i British Vogue, Edward Enninful. Në postim ai zbuloi se ishte ideja e Rihanna-s që të shfaqej me durag, i cili u krijua nga kapelebërësi i njohur, Stephen Jones.

“Për setin fotografik, ajo dëshironte një dekadë të re,” tha ai. “Kemi punuar me një arkiv të konsiderueshëm për të gjetur një propozim të ri. Ishte ora 2 e mëngjesit kur më ra telefoni dhe më tha: ‘Po sikur të përdorim një durag?’”.

Nuk është hera e parë që Rihanna shfaqet me durag. Në çmimet Council of Fashion Designers of America në 2014 u shfaq me një durag të mbuluar me kristale.

Në 2016-n, hapi ceremoninë e MTV VMA duke mbajtur në kokë sërish një durag të dizenjar nga Moses Gauntlett Cheng.