Si po përballojnë Komunat pandeminë e Coronavirusit, flet drejtori i AKK-së

Si po përballojnë Komunat pandeminë e Coronavirusit, flet drejtori i AKK-së

Kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës janë të mobilizuar në parandalimin e epidemisë së Coronavirusit brenda kapaciteteve që posedojnë. Komunat tashmë buxhetin e planifikuar për projekte të tjera po e shfrytëzojnë për nevojat e situatës së krijuar nga pandemia.

Krijimi i Shtabeve Komunale të Emergjencës, dezinfektim i hapësirave, ndalim i tubimeve publike, shtim i stafit në kufij janë disa nga masat e ndërmarra nga komunat.

Sazan Ibrahim, drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës në një intervistë për Ekonomia Online, ka treguar se si po menaxhohet pandemia nga komunat e Kosovës. 

“Komunat e Kosovës menjëherë pas shpalljes se pandemisë dhe pas identifikimit me rastin e parë me Covid-19 kanë organizuar të gjitha Shtabet komunale të emergjencës dhe kanë filluar të bashkëveprojnë ndërmjet vete. Në këto shtabe janë përfaqësues të policisë, përfaqësues të shëndetit publik, përfaqësues të komunave në të gjithë mekazimat që mendohet se mund të luftojnë dhe të parandalojnë Covid-19”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka treguar se në fillim instruksionet që kanë ardhur  nga niveli qendror nuk kanë qenë të harmonizuara mes vete, sepse ministritë e linjës kanë dërguar mesazhe të ndryshme në departamente të ndryshme.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që të gjitha këto porosi të dërgohen në qendrat dhe shtabet komunale të emergjencës. Të gjithë kryetarët janë të mobilizuar dhe të gjithë bëjnë mobilizimin e qytetarëve sa i përket parandalimit të përhapjes së virusit”, shtoi ai.

Ai ka thënë se komunat tashmë buxhetin e planifikuar për projekte të ndryshme, e kanë bartur për nevoja që dalin nga pandemia.

“Sa i përket aspektit financiar duke e marr parasysh që buxheti i Kosovës pas shpalljes së pandemisë ka marr vendim për Ligjin për buxhet dhe ka pas pak në fillim pengesa deri sa është miratuar ligji. Pas miratimit mjetet nga buxheti i Kosovës janë transferuar për 6 muaj në buxhetet e komunave,  mirëpo në atë kohë ministri e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka marr një vendim që komunave mos t’i shqyrtohen aktet nënligjore apo vendimet dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkoi menjëherë që kjo masë të pezullohet nga niveli qendror sepse komunat kërkonin që mjetet që i kishin të alokuara në projekte të ndryshme t’i bartnin në ato vija buxhetore ku shtabet komunale emergjente,  kërkonin dhe ishin të identifikuara nevojat dhe komunat kërkonin që mjetet të rialokohen për mbulimin e këtyre nevojave”.

“Pastaj u mor drita e gjelbër nga niveli qendror dhe komunat menjëherë filluan të marrin vendime në kuvendet komunale sa i përket rialokimit të buxheteve komunale mirëpo enkas për parandalimin e përhapjes së Covid-19”, tha ai.

Ibrahimi ka thënë se në fillim ka pasur paqartësi edhe sa i përket zbatimit të urdhëresave lidhur me çështjen se cilat biznese kanë të drejtë operimi.

“Gjithashtu në fillim ka pas edhe një mos harmonizim të sa i përket urdhëresave që kanë ardhur nga ministria MEPTINIS sa i përket lejimit të punës së operatorëve të ndryshëm ekonomik dhe aty gjithashtu Asociacioni ka reaguar në konsultim me komunat dhe me kryetarët e komunave dhe pastaj është ndryshuar edhe urdhëresa dhe është një trajtim i barabartë për të gjithë operatorët ekonomik”, theksoi Ibrahimi.

Ibrahimi ka folur edhe për orarin e kufizimit të lirisë së lëvizjes, raporton EO.

“Ky orar që është duke u aplikuar edhe tani ndoshta ka mangësi mirëpo kryetarët e komunave janë duke e monitoruar situatën dhe nëse kërkohet nga komunat që të bëhet edhe njëherë rishqyrtimi i këtyre masave atëherë ne si Asociacion do ta bëjmë një kërkesë”.

“Duke e krahasuar me orarin e mëhershëm  ky është më efikas në parandalimin e përhapjes edhe pse jo të gjithë kryetarët e komunave janë super të kënaqura me këto veprime mirëpo janë duke e monitoruar situatën dhe nëse shihet që edhe ky orar nuk është efikas atëherë do të kërkojmë rishqyrtim të këtij vendimi”, tha ai.