“Nuk munda dot ta shikoja në sy”, Messi zbulon lojtarin e madh
Lionel Messi konsiderohet njëri prej lojtarëve më të mirë në historinë e njerëzimit.
Argjentinasi u kall frikën shumë kundërshtarëve në fushë, por njëkohësisht ka fituar respektin dhe admirimin e shumë prej tyre.
Por, gjatë fillimeve të karrierës së tij, Messit i është dashur të mësojë shumë nga emrat e mëdhenj të futbollit, disa prej të cilëve i pati dhe shokë skuadre.
Në një intervistë të fundit për prestigjiozen franceze “L’Equipe”, kapiteni i Barcelonës tregon se nuk ka mundur dot ta shihte në sy ish-sulmuesin e famshëm Thierry Henry në momenti kur ky i fundit u takua me lojtarët e Barcelonës në verën e vitit 2007 kur erdhi nga Arsenali.
Karriera e jashtëzakonshme me “Topçinjtë” dhe golat e shumtë që realizoi në Angli bënë që Messi i ri të shtangej dhe të mbetej pa fjalë nga ish-kampioni i botës me Francën në vitin 1998.
“Ditën e parë që erdhi në dhomat e zhveshjes, nuk munda dot ta shikoja në sy. E dija se çfarë kishte arritur Henry në Angli. Ai kishte krijuar një imazh të jashtëzakonshëm dhe papritur do të ishim shokë skuadre. Ishte një lloj admirimi që ndjeva për të. E pëlqeja shumë lehtësinë me të cilën luanim në fushë”, rrëfen “Pleshti”.
Së bashku me Henriy, Messi shkëlqeu në sezonin 2008-2009 duke fituar të gjitha trofetë e mundshëm në atë sezon emblematik për skuadrën.























